“Shansi i titullit u sfumua nga dëmtimet e shumta”, Bardh Jera: Vllaznia nuk mbetet pa Europë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 23, 2023 | 23:40

“Shansi i titullit u sfumua nga dëmtimet e shumta”, Bardh Jera: Vllaznia nuk mbetet pa Europë

Fatbardh Jera, një nga ish-lojtarët e mirënjohur të ekipit të Vllaznisë dhe Kombëtares shqiptare, ka folur për sezonin e ekipit shkodran dhe pritshmëritë që ka në dy takimet e mbetura.

Fatbardh Jera

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Jera ka thënë se te Vllaznia kanë ndikuar jo pak dëmtimet në performancën e kësaj skuadre nga ndeshja në ndeshje.

Megjithatë, pavarësisht oshilacioneve dhe pritshmërive të fillimsezonit, Vllaznia në dy takimet e mbetura të këtij kampionati e ka në dorën e vet çështjen e sigurimit të një vendi në Kupat e Europës.

Si e shihni situatën te Vllaznia në këto momente të fundit të sezonit?

Mendoj se në këto momente janë disa çaste të vështira, ku edhe kërkohet përqendrim maksimal. Për më tepër se që në këtë javë ka një përballje të vështirë me ekipin e Laçit, ku edhe ata kërkojnë të jenë në Kupat e Europës.

Jeni shprehur më parë se Vllaznia është për kampion apo për Kupë, por mesa duket tani po rrezikojnë edhe Europën?

Mendoj se futbolli sot është shumë i vështirë për t’u parashikuar. Por duke u nisur nga problematikat që ka pasur Vllaznia, ku ka pasur shumë dëmtime të lojtarëve titullarë dhe po t’i referohemi fillimit mendoj se ka qenë në një rrugë të mbarë, por me kalimin e javëve mungesat e titullarëve bënë që shpresat që ishin në fillim të sfumoheshin, por unë do të them se Vllaznia e ka vetë në dorë për të qenë apo jo në Kupat e Europës. Jemi para Teutës dhe Laçit dhe gjithçka është në dorën e Vllaznisë.

Një shans i mirë që këtë javë do të kenë në shtëpi Laçin?

Është një fat i madh që duhet shfrytëzuar që në shtëpi kemi ekipin e Laçit. Ndërsa kemi ndeshjen e fundit ndaj Ballshit do të shikohet se si do të jetë java e ardhme edhe për këtë ekip. Gjithsesi, e quaj një gjë pozitive që Vllaznia do të jetë përballë Laçit të enjten dhe kjo përballje mund të zgjidhë edhe çështjen e daljes apo jo në Kupat e Europës.

Pra, e shihni Vllazninë në Kupat e Europës?

Unë shpresoj se me 99% do të jetë në Kupat e Europës.

Ku duhet të ndryshojë Vllaznia e sezonit të ri, për të qenë aty ku të gjithë e dëshirojnë kampione?

Mendoj se edhe Kupat ishin shumë domethënëse, pasi u siguron pjesëmarrjen në kompeticionet e Europës.

Skuadra u afrua edhe te titulli dhe mendoj se për të mbërritur aty sezonin e ardhshëm duhet që në radhë të parë të mbajnë një bosht lojtarësh, të punojnë fort në merkaton e verës që të afrojnë lojtarë me eksperiencë dhe cilësi, por sot futbolli është bërë shumë motorik dhe duhen lojtarë të qëndrueshëm, të fortë dhe atletikisht e fizikisht të jenë mirë. Ndërsa taktika e mënyra e lojës i mbeten trajnerit.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"