Shaktjor nuk do ta blejë Feizhaon, gati t’ia kthejë Kukësit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 9, 2022 | 9:39

Shaktjor nuk do ta blejë Feizhaon, gati t’ia kthejë Kukësit

Kukësi është duke u dhënë dorën e fundit përgatitjeve në kuadër të ndeshjes që do të luajnë këtë të diel me Teutën në “Kukës Arena”. Skuadra vjen e cunguar në këtë sfidë, teksa pas Zivkoviç dhe Moraesh të larguar e Shqiprim Taipit të pezulluar, pritet të vuajë edhe mungesën e dy lojtarëve të tjerë të dëmtuar.

kukesi

Bëhet fjalë për mbrojtësin Jorgo Meksi dhe mesfushorin Eduin Giasi, të cilët gjatë këtyre ditëve nuk janë stërvitur normalisht me skuadrën. Megjithatë, në klub duan patjetër fitoren dhe s’ndikohen nga zhvillimet e fundit.

BRAZILIANI – Kukësi është duke luftuar në dy fronte: në fushë dhe zyra. Në të dyja frontet gjërat nuk është se po shkojnë mirë, por gjithsesi priten zhvillime pozitive në merkaton e janarit. Te verilindorët mund të ketë një rikthim në skuadër, pikërisht ajo e Vitor Feizhaos. Braziliani u largua në verë për te Shaktjor Soligorsk në Bjellorusi në formë huazimi me të drejtë blerjeje, me Kukësin, që përfitoi asokohe 50 mijë euro. Ky huazim mbyllet më 31 dhjetor dhe nëse kampionët bjellorusë nuk e blejnë përfundimisht, atëherë sulmuesi i krahut do të rikthehet në Kukës.

Deri më tani, Feizhao është aktivizuar vetëm 178 minuta me këtë skuadër, në pesë ndeshje në total, duke mos shënuar asnjë gol. Prej tre muajsh nuk është grumbulluar për ndeshje zyrtare me këtë skuadër. Gjasat janë që Feizhao të mos qëndrojë te kampionët e Bjellorusisë, duke i hapur Kukësit rrugën për ta rikthyer në skuadër. Nëse kjo gjë do të ndodhë, do të bëhej fjalë për një rikthim të rëndësishëm, sepse braziliani ishte një nga lojtarët më të spikatur të sezonit të kaluar me verilindorët.

MERKATO – Largimet që kanë ndodhur dhe ato, të cilat priten në janar, sigurisht që do t’u hapin rrugën të tjera afrimeve, sepse vetëm kështu mund të plotësohet grupi. Për momentin nuk kanë dalë emra në skenë, por burime të gazetës pranë klubit pohojnë se kontaktet kanë nisur me kohë dhe pritet vetëm hapja zyrtare e merkatos për të bërë zyrtarizimet. Sakaq, afrimi i parë mund të quhet ai i portierit Betim Halimi, edhe pse klubi ende nuk ka bërë asgjë zyrtare.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"