Sfidojnë Vllazninë, flet sulmuesi i Pogradecit: Kemi disavantazhe, e vështirë të tentosh kualifikimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2021 | 12:31

Sfidojnë Vllazninë, flet sulmuesi i Pogradecit: Kemi disavantazhe, e vështirë të tentosh kualifikimin

Pogradeci nuk pret ndonjë mrekulli nga Kupa e Shqipërisë, e megjithatë totalisht të dorëzuar nuk udhëtojnë drejt Shkodrës. Duke bërë llogaritë me katër mungesa të rëndësishme dhe mbi të gjitha disavantazhin e dy golave, kanë vetëm për një qëllim përballë Vllaznisë: të bëjnë prezantim dinjitoz. Eldjon Topllari qartëson se kurrë nuk kanë pasur pretendime në këtë kompeticion, megjithatë në fushë do të zbresin për të dhënë më të mirët. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, sulmuesi thotë:

Topllari

“Jemi në një disavantazh përballë Vllaznisë. Ndeshjen e parë humbëm 0-2, por në lojë bëmë mirë dhe ishim thuajse të barabartë. Por, është e vështirë të tentosh kualifikimin… Do të kemi shumë mungesa dhe kjo dihet tashmë. Janë katër titullarë të padisponueshëm dhe shpresoj që të mos shtohet ndonjë tjetër deri në momentin e fundit”. Liqenorëve do t’u mungojnë Liçkollari, Alillari, Shkullaku dhe Balla, që nuk janë pak.

Me shumë mundësi formacioni mund të “zaptohet” nga të rinjtë, por edhe në këtë formë do të tentojnë që të bëjnë diçka. “Vërtet kemi mungesa, por ne do të shkojmë për një paraqitje dinjitoze në Shkodër dhe do të mundohemi të jemi të barabartë me kundërshtarin.

Se në çfarë pike do të jemi, kjo mbetet për t’u parë. Nuk na lejohet inferioriteti i dukshëm në rezultat, do të bëjmë më të mirën në shërbim të ndeshjes në kampionat”, përfundoi sulmuesi. Ardian Abazaj do të kërkojë ndihmën e futbollistëve me përvojë dhe në 11-she priten 4 të tillë. Veç Topllarit, në fushë do të zbresin edhe Jahaj, Pura dhe Hysenllari.

ROMEO XINXIFI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"