Sfidë brenda familjes/ Butrinti-Lushnja, në dorën e dy vëllezërve portierë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 9, 2022 | 22:50

Sfidë brenda familjes/ Butrinti-Lushnja, në dorën e dy vëllezërve portierë

Përtej emocioneve që mund të dhurojë Butrinti-Lushnja, vëmendjen do ta tërheqin… portierët. Pse do të thoni ju? Epo, janë që të dy lushnjarë dhe mbi të gjitha vëllezër. Jemi duke folur për Mikel dhe Ariol Kaloshin, që do të jenë kundërshtarë për 90 minuta.

pjimage (21)

Një sfidë brenda familjes, të cilën secili kërkon ta fitojë. Kanë luajtur dikur edhe në një ekip bashkë (si te Lushnja ashtu edhe te Tomori), por kundër njëri-tjetrit do të jenë për herë të parë këtë të diel. Për “Panorama Sport” ata nuk ngurrojnë që t’i hapin sfidë njëri-tjetrit, ndërsa hapur thonë: “Fitoj unë!” Se kush do t’ia dalë, kjo do të vendoset në “Andon Lapa”…

MIKELI

Është rikthyer në Lushnjë vetëm gjatë kësaj merkatoje dhe duhet thënë që shifrat i ka të mira. Në tri ndeshje verdhejeshilët nuk humbasin (me 2 fitore dhe një barazim) dhe ka pësuar vetëm një gol (edhe atë e pësoi kundër Tomorit, ku triumfuan 3-1). 28- vjeçari shpreh keqardhje që e prishi këtë ecuri, e megjithatë garanton se do ta ndreqë në vazhdimësi.

Mikel Kaloshi 2

“Pësova golin e parë në këto tri javë dhe më erdhi me të vërtetë keq. Çaço e harkoi topin në zonë. Mori një devijim dhe e kisha të pamundur për ta larguar. Por, e rëndësishme është që fituam. Loja ishte e bukur, një ndeshje derbi e luftuar dhe u kënaqëm. Po përgatisim ndeshjen me Butrintin.

Është një transfertë e vështirë për ekipin e Lushnjës. Butrinti ka një ekip cilësor dhe luan në fushën e tij, por Lushnja do të shkojë për fitore. Canka ka pësuar një dëmtim dhe shpresojmë të rikthehet sa më shpejt. Është një mungesë e madhe, pasi është kapiteni ynë dhe sulmuesi ynë kryesor.

Kjo me sarandjotët pastaj, do të jetë një sfidë brenda familjes sime. Kundërshtar do të kem vëllain tim Ariolin dhe është me të vërtetë shumë e veçantë. Kemi qenë në një ekip, por si kundërshtarë është hera e parë që do luajmë. E di që do të japim të dy maksimumin, por ndeshjen do ta fitojë unë”, deklaroi portieri i Lushnjës, që është më i madhi mes dy vëllezërve.

ARIOLI

Është 6 vite më i vogël, por mosha nuk e pengon që të replikojë me të vëllanë. Me Butrintin që po noton në “ujëra” të rrezikshme, pikët janë domosdoshmëri. Arioli e ka të parën ndeshje kundër Mikelit, por hapur kërkon që ta mundë. “Barazimi në Burrel ishte si një pikë kthese për ne.

Ariol Kaloshi 2

Një rezultat i mirë pas humbjeve që kemi pësuar me Turbinën dhe Korabin. Gara është e fortë dhe na duhen pikë. Po stërvitemi për Lushnjën, që e presim në shtëpi.

Do të luajmë vetëm për maksimumin. Na mungon fitorja. Trepikëshi është ai që të ngre në tabelë. Është ndeshja e parë që do luaj kundër Mikelit, pasi në një ekip edhe kemi qenë. Është më i madh nga unë, por ta harrojë të fitojë përballë meje”, përfundoi 22-vjeçari, që është aktivizuar në të gjitha ndeshjet e këtij sezoni me Butrintin (ka marrë 1530 minuta të plota).

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"