Sfida Pogradeci-Besa në Kupë, trajnerët e të dyja kampeve flasin prag ndeshjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 13, 2021 | 11:43

Sfida Pogradeci-Besa në Kupë, trajnerët e të dyja kampeve flasin prag ndeshjes

Pas 10 ditësh në krye të Besës, Dorjan Bubeqi ka një panoramë më të qartë për grupin. Ego, dëshirë dhe nivel teknik, megjithatë meraku i vetëm mbetet: finalizimi. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri flet edhe për ndeshjen e kthimit për Kupën e Shqipërisë. Do të luajnë me formacion të përzier, por me kualifikimin si mision të qartë.

pjimage (32)

Tani që kanë kaluar 10 ditë nga emërimi juaj si trajner, çfarë mund të na thoni për këtë grup?

Kam deklaruar se ekipin e kam ndjekur në dy ndeshje në Luz, por ndryshe kur i stërvit e sheh më nga afër ecurinë. Në seancat stërvitore duket qartë dëshira, egoja, niveli teknik dhe aftësitë në pozicionimet taktike të secilit. Tani mund t’ju them me bindje se e njoh grupin dhe nivelin e secilit. Kam të njëjtën bindje që kisha edhe kur pranova të marr drejtimin e Besës, që ka një grup cilësor me futbollistë që mund dhe duhet të japin më shumë.

Ka ndonjë problem që duhet korrigjuar?

Nëse ka diçka që duhet korrigjuar, mendoj thjesht efikasitetin para portës dhe që secili të japë maksimumin e tij. Me atë që shoh në stërvitje, kam bindjen se këta futbollistë mund dhe duhet të shfaqen ndryshe.

Sot luhet Kupa e Shqipërisë, me çfarë qëllimi do zbrisni në fushë?

Jo, sot nuk do mund të shihni grupin për të cilin ju fola. Në Kupë ne do të luajmë me një ekip të përzier. Synimi ynë nuk është Kupa, por evidentimi i të rinjve, të cilët do t’i përdorim në kampionat.

Pra, Besën që duam do ta shohim ndaj Lushnjës?

Shpresoj e besoj se ato ide e besim që kam te grupi, do të shfaqen ndaj Lushnjës. E njoh mjaft mirë mënyrën si luan kundërshtari dhe grupin që ka aktualisht. Jua them pa diplomaci se Lushnja si e njoh unë nuk e meriton atë renditje që ka në tabelën e klasifikimit.

Që do të thotë se do të jetë një përballje e vështirë?

Ndryshe nga presidenca që ka objektiv Superioren në çdo sezon, unë si trajner kam si objektiv vetëm takimin e radhës. Për mua suksesi duhet të shihet sfidë pas sfide. Duke u kthyer te pyetja juaj, jo Lushnja, por gjykoj se me formulën e re nuk ka më asnjë ekip të lehtë. Shikoni rezultatet e debutuesve, Shkumbinin e Butrintin, e të bindeni për këtë. Sigurisht që do jetë e vështirë dhe çdo gjë do varet nga fakti se kush do gabojë më pak do ketë sukses. Ne do të bëjmë maksimumin të gabojmë sa më pak sidomos përpara portës.

Mungesa, dëmtime?

Për fatin tonë, grupi është i plotë dhe nuk kemi as dëmtime e as mungesa. Kriteri im për formacionin qëndron në faktin se kush ka dhënë 100% e tij në stërvitje, ata do luajnë.

Ardjan Abazaj “kursen” titullarët nga dëmtimet 

“Do të respektojmë garën, por Kupa është jashtë objektivave tanë. Ne do ta shfrytëzojmë këtë ndeshje për t’u përgatitur për kampionat. Pra, duket qartë se ku është përqendruar e gjithë vëmendja jonë. Kjo lidhet edhe me atë se nuk kemi mundësi të luajmë në dy fronte. Për sa u përket futbollistëve, disa prej tyre për fatin tonë të keq janë të dëmtuar dhe nuk kanë arritur të rikuperohen plotësisht.

Ekziston ndërkohë rreziku edhe për të tjera dëmtime, ndaj ne po mendojmë që këto forca t’i ruajmë për kampionat. Dhe, së treti, do të thosha se rreziku për dëmtime të mëtejshme edhe mund të jetë, kështu që ne po mendojmë që këto forca t’i kemi për kampionat”. Liqenorët duket se do të luajnë më së shumti në këtë takim me futbollistë të stolit, por edhe të rinjtë. “Do t’u japim më shumë minuta futbollistëve të stolit, do të afrojmë disa prej të rinjve dhe kështu them se do të përfitojmë forca për më tej”, përfundoi numri një i pankinës pogradecare.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"