Sfida me Flamurtarin në Vlorë, Dede: Elbasani e ka vetë në dorë kreun, ja diferenca me rivalët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 21, 2024 | 12:40

Sfida me Flamurtarin në Vlorë, Dede: Elbasani e ka vetë në dorë kreun, ja diferenca me rivalët

Elbasani shkon sot në Vlorë me pet kun e një skuadre që ka siguruar Superioren, dhe do të ndeshet me rivalin më të vështirë. Verdheblutë kanë plot 21 ndeshje radhazi që nuk humbasin në kampionat. E fundit, ishte pikërisht në Vlorë, ndaj kjo përballje në njëfarë mënyre vlen edhe për prestigjin midis dy ekipeve të traditës.

dede

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, para këtij dueli, trajneri Nevil Dede pohon se detyra e Elbasanit është të vazhdojë me të njëjtin ritëm dhe të ruajë vendin e parë, që nuk e kanë lëshuar më nga koha kur e fituan atë pozicion. Sipas tij, qëndrueshmëria, vazhdimësia dhe durimi kanë bërë që verdheblutë të jenë sot në vendin e parë dhe me Superioren në “xhep”.

Pas festimit për ngjitjen në Superiore, tani vëmendja është te Flamurtari, si e prisni?

Ka entuziazëm dhe djemtë ndihen mirë. Pavarësisht se kushtet atmosferike nuk kanë qenë të mira, stërvitjet na kanë shkuar mirë edhe në këtë terren të rënduar që kemi. Mendoj që më e rëndësishmja është që ne të vazhdojmë me të njëjtin ritëm, përqendrim dhe fokus. Kemi përballë një kundërshtar që për mua meriton mbi të gjitha respekt dhe vlerësim për vetë investimin që ka bërë, organizimin, por edhe emrin që kanë. Është një ndeshje e bukur dhe ftoj sportdashësit ta shijojnë si në stadium edhe në televizor. Do doja shumë që stadiumi të ishte plot.

Flamurtari është një nga dy rivalët që nuk e keni mundur asnjëherë këtë sezon, sa besoni te fitorja?

Çdo njeri ka të drejtën e tij të mendojë dhe të analizojë. Unë mendoj që ne kur jemi futur në garë në Kategorinë e Parë, nuk kemi menduar se kë do mundim apo kush do na mundë. Jemi munduar që të arrijmë objektivat dhe të jemi fitues. Në një maratonë, normal që ka ndeshje jo të mira. Të pëlqen gjithnjë që të fitosh dhe ne do të shkojmë atje si zakonisht për qëllimet tona dhe arritur objektivat sezonal. Mbi të gjitha, dua që djemtë ta përjetojnë si një ndeshje të bukur dhe të shohin se sa të vërteta kanë qenë edhe dy rezultatet e ndeshjeve të kaluara me Flamurtarin.

Keni 21 ndeshje pa humbje, të fundit ua kanë shkaktuar pikërisht vlonjatët në Vlorë, keni ndonjë presion për të vijuar me këtë ecuri?

Kur dëgjon shifrat gjithnjë kënaqesh, përkëdhelet edhe sedra, por mbi të gjitha mua më vjen mirë për djemtë. Janë konstantë dhe gjithë kohën mundohen të japin maksimumin në stërvitje dhe në ndeshje. Normal që ka edhe ditë që nuk japin dot më të mirën, por e rëndësishme është që ne ta përjetojmë si një garë normale të kampionatit.

Që kur e morët vendin e parë nuk e keni lëshuar më, mendoni se do ia dilni ta ruani deri në fund?

Në qoftë se ne vazhdojmë me këtë ritëm e arrijmë. Djemtë e kanë këtë qëllim brenda vetes, sepse është i rëndësishëm shumë motivi i brendshëm personal dhe pastaj formohet edhe grupi… Normal që ne duam të jemi të parët, këta djem e meritojnë të jenë të parët. Gjithsesi, ata e kanë në dorë dhe ata duhet ta tregojnë edhe këtë javë në Vlorë dhe në javët e mbetura.

Ku e ka bërë diferencën Elbasani këtë sezon që ndodhet në krye? Çfarë ka më shumë se rivalët?

Besoj në qëndrueshmëri, vazhdimësi dhe durimin që ka pasur në momentet e vështira që kemi kaluar. Është një grup që mendojnë të gjithë njësoj dhe mundohen të sillen të gjithë njësoj. Ky është sekreti.

fl elb

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"