Sezoni i tretë në Ballsh, Kamara: Më pëlqen të luaj afër sulmit, Bylisi nuk njeh rival

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 11, 2024 | 15:10

Sezoni i tretë në Ballsh, Kamara: Më pëlqen të luaj afër sulmit, Bylisi nuk njeh rival

Bylisi është stërvitur edhe në ditën e Fiter Bajramit, në prag të duelit me Korabin që do ta luajnë në Ballsh të shtunën në orën 15:00. Trajneri Arian Bellai pritet që ta ketë të plotë grupin këtë javë. Në ndeshjen me Lushnjën, Abubakar Kamara shënoi golin e dytë për Bylisin.

kamara bylis

Ai është një nga lojtarët kryesorë dhe që po shfaqet këtë edicion, ndonëse luan sezonin e tij të tretë në Ballsh. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, mesfushori nga Nigeri shpall synimet për sfidat e mbetura të Bylisit si objektivat personal.

Kamara, sezoni i tretë në Ballsh, si ndiheni?

Fillimisht dua t’i uroj festën e Bajramit besimtarëve myslimanë. Ndihem shumë mirë këtu, pasi me Bylisin ka luajtur edhe në Superiore.

Nga Bylisi morët ftesë edhe nga Kombëtarja e Nigerit…

Po jam grumbulluar me përfaqësuesen e vendit tim dhe shpresoj që duke luajtur dhe bërë mirë këtu, të jem protagonist edhe atje. Në Ballsh jam rritur shumë, madje këtë sezon po kaloj një formë shumë të mirë.

Keni shënuar disa gola, ku ndiheni më mirë në mesfushë apo sulm?

Unë luaj ku të më caktojë trajneri. Më pëlqen të jem afër sulmit dhe të shënoj duke u bërë protagonist. Te Bylisi kam shumë shokë, pasi prej kohësh luajmë këtu. Mendoj që kjo është pozitive. Ne po bëjmë mirë në këtë kampionat dhe do ta quaja një vit shumë i mirë.

Vit i mirë, por aktualisht jeni në vendin e dytë…

Janë edhe disa pikë në lojë. Të gjithë e kuptojnë se kush e meriton dhe kujt i takon kreu. Nuk jemi mundur në asnjë fushë nga rivalët, madje asnjë ekip s’ka bërë diferencë ndaj nesh. Edhe rivalët tanë nuk janë më lart se ne në aspektin e lojës dhe organikës.

Në Ballsh vjen Korabi, a do të kërkojë Bylisi fitoren e tretë radhazi dhe kur mund ta merrni vendin e parë?

Do të hyjmë në fushë që ta fitojmë ndeshjen. Në shtëpi s’kemi diskutuar asnjë ekip dhe kjo gjë do të ndodhë edhe ndaj Korabit. Ka kohë për fundin e garës. Fillimisht të fitojmë këtë takim dhe të vazhdojmë të jemi ajo skuadra që bën mirë brenda dhe jashtë fushe. Bylisi ka një grup që e kanë zili edhe ekipet e elitës.

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"