Sezon me shumë risi, basketbolli nis sot kampionatin kombëtar. Edicioni 2023-2024 starton me sfidën…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 6, 2023 | 10:50

Sezon me shumë risi, basketbolli nis sot kampionatin kombëtar. Edicioni 2023-2024 starton me sfidën…

Tashmë gjithçka është gati, teksa sot do të ngrejë siparin kampionati kombëtar i basketbollit për meshkuj. Gjithçka do të startojë në orën 18:30 nga palestra e shkollës “Halit Coka” në Bathore, me ndeshjen hapëse ndërmjet Kamzës vendëse dhe Flamurtarit. Dy skuadra që vijnë me objektiva të rëndësishme dhe investime, për të qenë pjesë e “play off”-it, e pse jo më pas për të pretenduar edhe për trofeun.

tirana basket

Më tej java e parë do të kompletohet nesër me katër takimet e tjera, duke filluar nga ora 16:00 në Shkodër me sfidën ndërmjet Vllaznisë dhe Skënderbeut. Kuqeblutë, të cilët ranë sportivisht nga kategoria gjatë sezonit të kaluar, por u shpëtuan nga ndryshimi i formulës, tashmë kërkojnë të bëjnë një sezon ndryshe nga ai i një viti më parë, duke respektuar traditën e Shkodrës në basketboll. Përballë do të kenë skuadrën korçare, që duket se vjen me objektiva modeste në kampionat.

Më tej, në orën 18:00, do ta kenë radhën për të zbritur në parket ekipet “big” të kampionatit. Tirana, kampionia në fuqi, do ta nisë mbrojtjen e titullit në transfertë ndaj Apolonisë. Bardheblutë edhe në këtë sezon futen me synime madhore dhe shihen si një nga pretendentët kryesorë për triumfin final.

Nga ana tjetër, Apolonia, ashtu sikurse edhe një vit më parë, paraqitet me një skuadër interesante, duke kërkuar zonën “play off”. Por në këtë edicion skuadra fierake do të ketë një armë më tepër, pasi do të rikthehet t’i luajë ndeshjet në shtëpinë e saj, në sallën e re në Fier, me ndeshjen inauguruese që do të jetë pikërisht nesër ndaj bardhebluve.

Kryendeshja e javës së parë është sfida e “Ramazan Njalës” ndërmjet Teutës dhe Besëlidhjes, dy pretendente serioze për titullin. Durrsakët, tashmë me Nikola Milatoviçin të rikthyer në pankinë, prej disa vitesh kanë qenë protagonistë kryesorë në sportin e koshit.

Ndërsa lezhjanët e Afrim Bilalit futen me një objektiv fiks, të shpallen kampionë të Shqipërisë, pasi një vit më parë ishin finalistë, madje duke e kryesuar deri në 2-0 serinë ndaj Tiranës, për t’u përmbysur më pas nga bardheblutë e Erkand Karajit në një prej serive më emocionuese të kampionateve të fundit.

Besëlidhja një javë më parë arriti të fitonte Kupën e FSHB-së, sukses që i jep edhe më shumë moral e besim ekipit lezhjan për kampionatin.

Ndërkohë, Partizani do ta fillojë sezonin e ri me një ndeshje në shtëpi, teksa do të presë Elbasanin në “Asllan Rusi”. 33 herë kampionët e Shqipërisë, të cilët mbeten shumë larg lavdisë së dikurshme, epokë kur shkruanin historinë e sportit të koshit në vendin tonë, kërkojnë një vend në “play off”, objektiv të cilin e konfirmoi vetë drejtori i klubit shumësportësh, Shkëlqim Muça.

Ndërsa Elbasani, që vetëm pak ditë më parë ia besoi pankinën trajnerit kosovar, Fabian Gjuka, synon gjithashtu të mbetet në elitë. Ndërkohë në javën e parë, Fieri, ekipi më i ri që i është shtuar basketbollit të meshkujve, do të qëndrojë pushim për shkak të numrit të skuadrave pjesëmarrëse në kampionat.

RISITË – Edicioni 2023-2024 vjen me shumë risi, duke nisur që nga grupimi i të gjitha ekipeve në një kategori të vetme. Siç dihet këtë verë Federata Shqiptare e Basketbolli vendosi që t’i bëjë një “refresh” kampionatit, duke bashkuar ekipet e Superligës me ato të nivelit të dytë.

Gjithashtu ndryshime ka pësuar edhe formula e kampionatit, që do të jetë me dy faza për sezonin e rregullt, teksa në përfundim vendi i parë dhe i dytë kalojnë në “play off”, ndërsa vendet 3, 4, 5 dhe 6 do të luajnë në para “play off”.

Gjashtë ekipet e para do të formojnë edhe kampionatin e edicionit pasardhës, me Superligën që do të rikthehet me 6 ekipe. Një tjetër risi e rëndësishme e këtij sezoni është edhe kufizimi i numrit të lojtarëve të huaj, temë që prej vitesh ka prodhuar shumë debate komunitetin e basketbollit.

FSHB-ja tashmë ka vendosur limit, teksa skuadrat nuk mund të aktivizojnë njëkohësisht mbi 3 lojtarë të huaj gjatë një ndeshjeje. Një vendim i marrë për t’u dhënë më tepër hapësira basketbollistëve vendorë.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"