Sekretari i klubit, Marjan Lleshaj: Burreli duhet të jetë më lart, në Vlorë nuk dalim duarbosh”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 1, 2024 | 16:18

Sekretari i klubit, Marjan Lleshaj: Burreli duhet të jetë më lart, në Vlorë nuk dalim duarbosh”

Me humbjen 2-0 ndaj Luzit, matjanët e mbyllën fazën e dytë të kampionatit në vendin e nëntë me 22 pikë. Duke bërë rezymenë e dy fazave dhe paraqitjen sekretari i klubit matjan, Marjan Lleshaj, që vite më parë ka luajtur për Burrelin, për “Panorama Sport” pohoi se skuadra duhej të ishte pozicionuar më mirë në renditje.

lleshaj burreli

Pas përfundimit të fazës së dytë, Burreli u rendit në vendin e nëntë, cili është vlerësimi juaj për këtë ecuri?

Në përgjithësi kemi zhvilluar ndeshje të mira, por pozicioni që ka skuadra nuk është i duhuri. Mundësitë për një pozicionim më të mirë kanë qenë më të mëdha. Hapat fals, sidomos në ndeshjet në fushën tonë na kanë penalizuar për të pasur një pozicionim më komod në renditje.

Jeni një pikë larg Kastriotit dhe 5 ndaj Lushnjës, mendoni se këto janë rivalet e skuadrës matjane në fazën e tretë?

Nëse i hedhim një sy renditjes, skuadrat janë aty-aty. Me një fitore mund ta shohësh veten lart. Në të kundërtën, mund ta shkosh poshtë.  Figurativisht, të duket vetja si në një fushë të minuar, ku çdo hap duhet llogaritur mirë. Nuk janë njëmbëdhjetë ndeshje, por njëmbëdhjetë finale, ndaj kërkohet vlerësim maksimal çdo javë.

Fazën e tretë e nisni me transfertën e vështirë ndaj Flamurtarit…

Do të jetë një ndeshje e vështirë për vetë emrin dhe ambiciet që ka skuadra vlonjate këtë edicion. Ndaj skuadrave, jo vetëm pretendente, por dhe me emër, kemi treguar se mund të përballemi me dinjitet. Jo vetëm kaq, por kemi guxuar të marrim maksimumin e pikëve. Në Vlorë do të shkojmë me objektiva të qarta, për të mos dalë duarbosh.

Duke qenë se vite me parë keni qenë pjesë e skuadrës si futbollist dhe sot si drejtues i klubit në rolin e administratorit, cila është këshilla juaj për ekipin në prag të fazës së tretë?

Duhet vlerësim maksimal i çdo ndeshjeje. Gjithnjë duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës. Mundësitë për një përfaqësim dinjitoz ekzistojnë. Kam besim te grupi i futbollistëve. Gjendja e skuadrës është e mirë dhe mundësia për tu renditur më lart është e mundur. Skuadra e ka treguar veten se di të fitojë edhe ndaj pretendentëve.

Si i parashikoni në tërësi ndeshjet e kësaj faze?

Parashikoj një fazë që do të shoqërohet nga java e parë deri në fund nga lufta e fortë sportive. Nisur nga kjo atmosferë, është e vështirë të bësh parashikime. Çdo skuadër është fokusuar në detyrat dhe objektivat e saj.

NDERIM GOCI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"