“San Siro” nuk preket, Italia e propozon zyrtarisht për finalen e Ligës së Kampioneve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 18, 2023 | 19:12

“San Siro” nuk preket, Italia e propozon zyrtarisht për finalen e Ligës së Kampioneve

Ndërsa Milani dhe Interi kërkojnë prej kohësh që të rimodelojnë stadiumin “San Siro” për ta bërë të ri, ose të zhvendosen në një impiant tjetër, Federata Italiane e Futbollit i sheh gjërat ndryshe. Kjo është arsyeja pse stadiumi ikonë në Itali është bërë kandidat për të pritur finalen e Ligës së Kampioneve në një nga edicionet e ardhshme.

champions

UEFA ka bërë të ditur se ka marrë propozimet e federatave të ndryshme për finalet ndërkombëtare dhe ajo që spikat është siguria thuajse e plotë që në vitin 2026, apo atë 2027, do të jetë pikërisht “San Siro” ai që do të presë evenimentin.

Ndërkombëtarët, nëpërmjet një komunikate, sqaruan se për këto dy edicione të vetmet stadiume që kishin shpallur kandidaturën për finalen e Ligës së Kampioneve ishin “Pushkash Arena” i Budapestit dhe “San Siro” i Milanos. Me pak fjalë, mbetet vetëm të vendoset se cili prej stadiumeve do të presë finalen e cilit nga dy edicionet e mësipërme.

Ndëkohë, sa i përket finales së Ligës së Europës, Gjermania paraqiste 5 qytete të ndryshme si alternativë, teksa janë në garë edhe “National Arena” i Bukureshtit, “Hampden Park” i Gllasgou, apo një nga stadiumet e Stambollit.

Për finalen e Ligës së Konferencës janë kandidatë stadiumi i Lajpcigut në Gjermani, stadiumi “Ulleval” në Oslo, stadiumi “Teddy” në Jeruzalem, “Hampden Park” i Gllasgou, “Stade de Geneve” në Gjenevë si dhe një nga stadiumet e Stambollit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"