“Sakrifikoni dhe zbatoni detyrat”, Magani jep formulën e fitores: Fusha e Beratit do të na ndihmojë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 12, 2023 | 9:30

“Sakrifikoni dhe zbatoni detyrat”, Magani jep formulën e fitores: Fusha e Beratit do të na ndihmojë

Gugash Magani e ka të qartë “formulën” e fitores. Gjatë gjithë kësaj jave stërvitore, ua ka bërë të qartë futbollistëve se mund t’ia dalin përballë Besëlidhjes vetëm nëse sakrifikojnë në fushë dhe zbatojnë detyrat. Një pikë në 180 minutat e fundit nuk e bind trajnerin, ndaj qartazi kërkon kthesën.

MAGANI 1

Këtë e thotë edhe gjatë deklaratës së dhënë për “Panorama Sport”: “Jemi stërvitur fort këtë javë dhe shpesh u kam kujtuar futbollistëve se nuk duhet t’ia lëmë rastësisë e fatit ndeshjet. Vërtetë kanë luajtur mirë si me Skënderbeun dhe Tomorin, por nganjëherë nuk mjafton vetëm loja. Unë kërkoj pikët. Ju e patë se si pësuam në fund me beratasit, ndaj kujdesi, lufta dhe vëmendja nuk duhet të mungojnë deri në sekondën e fundit shtesë”.

Më tej, tekniku peqinase, Magani, ndalet te ballafaqimi i radhës, që verdhezinjtë do të luajnë në stadiumin “Tomori”. Ky spostim u ndikua edhe nga gjendja jo aq e mirë e fushës së Peqinit.

“Çdo ekip e ka vetë në dorë për të demonstruar në fushë vlerat që ka. Them kështu, pasi besoj plotësisht se Besa ka grupin që duhet e mund të bëjë më mirë. Kjo ndodh vetëm atëherë kur çdo futbollist në fushë do të sakrifikojë, luftojë e do të japë maksimumin e tij. Nuk punojmë kot gjatë gjithë javës, por përgatisim sfidat në varësi të kundërshtarit, pikave të tij të forta, ato të dobëta dhe shfrytëzimin e armëve tona më të forta. Besëlidhja dhe të gjitha ekipet kanë ambiciet e tyre, dhe në këtë fazë çdo pikë e marrë apo e lënë ndikon në fatet tona dhe të tyret. Në këtë kuptim, ashtu sikurse ne do të kërkojmë fitoren, edhe lezhjanët vijnë me pretendimet e tyre. Unë pres vetëm fitoren, pasi javët kalojnë shpejt. Lojtarëve u kam kërkuar të tregojnë grintë, dëshirë për fitore e të zbatojnë detyrat që u kam dhënë. Nëse e bëjmë, shpërblimi në fund nuk do të mungojë. Fusha e Beratit? Do të na ndihmojë në lojën tonë”, përfundoi Magani.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"