Rrëfehet kapiteni i Interit, Lautaro: Kristjan Asllani do të bëhet e ardhmja e Interit, është talent

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 22, 2024 | 15:17

Rrëfehet kapiteni i Interit, Lautaro: Kristjan Asllani do të bëhet e ardhmja e Interit, është talent

K 10 upa e titullit kam pion shkëlqen si një yll në qendër të sallës së takimeve. Lautaro e ngriti në qiellin e Milanos të dielën në mbrëmje dhe dje bëri një vizitë në zyrat qendrore të gazetës “Gazzetta Dello Sport”. “E bukur ee?”, pyet “Toro” që nuk është lodhur ende nga festimet e shumta të këtyre ditëve. Pas disa batutave në fillim me disa prej gazetarëve është momenti i pyetjeve për kapitenin e Interit.

Lautaro-Martinez-Kristian-Asllani

Lautaro, çfarë ndjesie ju jep Kupa në dorë?

Është një kënaqësi e jashtëzakonshme sepse unë Interin e konsideroj si shtëpinë time. E kam përjetuar kështu që nga dita e parë dhe lidhja me Milanon është e fortë. Ka një atmosferë speciale, këtu po rris fëmijët e mi, këtu bashkëshortja ka një restorant. Këtu ndiej dashurinë e tifozëve. I detyrohem shumë këtij klubi. Që nga dita e parë më kanë qëndruar afër dhe falë tyre u bëra kapiten. Është një nder dhe përgjegjësi për mua. Të ngrija kupën e yllit të dytë me shiritin e kapitenit është një ëndërr që futbolli e bëri realitet.

Çfarë tipi kapiteni jeni ju?

E kam thënë që nga fillimi edhe për shokët e skuadrës. Një kapiten ka nevojë për të gjithë shokët. Kam folur me Darmianin, Açerbin, Dimarkon, Bastonin dhe Barelën. Duhet të më ndihmonin dhe e kanë bërë mjaft mirë duke ju shpjeguar edhe të tjerëve se çfarë është Interi dhe për të sqaruar rrugëtimin që duhet të bënim të gjithë së bashku. Për shembull, në fillimin e sezonit kam folur me Asllanin që e shihja pak të rënduar psikologjikisht që nuk po merrte minuta. Kishte nevojë për një mbështetje dhe kështu u rrit në këtë vit. Ai ka gjithçka për të qenë organizatori i Interit në të ardhmen. Për një periudhë nuk më foli, por pastaj e kuptoi dhe më falënderoi. Tani për tani ky është roli im, por në të ardhmen nuk bëhem trajner.

Titull dhe golashënues. Kjo ju ka ndodhur vetëm 5 lojtarëve. Si ndiheni të jeni në histori?

Është një kënaqësi brenda kënaqësisë. Numrat thonë që çdo sezon arrij të përmirësohem sepse ky është mentaliteti im. Dua të parakaloj gjithmonë veten dhe të kem objektiva të rinj. Grupi vjen përpara individit dhe unë thjesht kam kapitalizuar punën e të gjithë skuadrës.

Çfarë keni përmirësuar në këtë sezon dhe çfarë do të përmirësoni në të ardhmen?

Disa lëvizje të reja i kam përmirësuar. Më përpara luaja si sulmues i dytë, ndërsa këtë vit kam bërë unë sulmuesin dhe Turam kërkonte thellësinë dhe kombinonte me të tjerët. Golat më të rëndësishëm i kam shënuar në Torino me Juven, në Firence pas Superkupës kur kishim shumë mungesa dhe ishim të lodhur. Aty dhamë një sinjal vendimtar. Nga shkurti nuk kam shënuar shumë, është e vërtetë, por nuk duhen parë vetëm golat. Ndonjëherë ata nuk vijnë. Duhet që të shohim edhe lëvizjet dhe puna për skuadrën. Sigurisht që unë duhet të përmirësohem për t’i evituar këto momente, por edhe kur topi nuk futet në rrjetë kërkoj të ndihmoj skuadrën.

Për mënyrën tuaj të lojës, ndiheni më mirë me Lukakun, apo me Turamin?

Kam bërë gjëra të mëdha me Romelun, një lojtar që merrte me vete dy lojtarë. Por me Markusin kam më shumë hapësira dhe mundësi. Me lëvizjet e tij ai të liron nga kundërshtari dhe është një djalë i shkëlqyer. Bën gjithmonë humor në dhomat e zhveshjes. Jemi të ndryshëm. Ai më thotë që unë qesh pak, por ndoshta është ai që qesh shumë. Pastaj unë nuk mund të vishem kurrë si ai. Ka shumë guxim. Por përtej batutave, nuk e mendoja kurrë që të ndihesha kaq mirë me Markusin. Ka qenë vendimtar që në ndeshjet e para në grumbullim. Pas shumë vitesh kam bërë një përgatitje të plotë duke kaluar edhe problemin në kavilje. Nuk më la që ta përjetoja Botërorin siç do të doja unë. Nëse e mendoj akoma, më vjen për të qarë…

Po me Lukakun, a keni folur më?

Jo. Nuk m’u përgjigj atëherë kur e telefonova dhe mbaroi aty. Ndryshova faqe.

Në çfarë pike është cikli juaj fitues?

Interi kishte disa vite që nuk fitonte asgjë dhe prej 4 sezonesh gjithmonë kemi fituar ndonjë kupë. Cikli duhet të vazhdojë. Ka të drejtë drejtori Marota kur thotë që duhet të kemi më shumë pretendime. Nuk dua të zgjedh mes objektivave, por ne jemi Interi dhe duhet të luftojmë për të gjitha. Champions-i është një prej tyre. Në Stamboll ishim shumë afër, ndërsa një nga ndeshjet që do të doja të luaja sërish është ajo kundër Atletikos. Por në Milano duhet të shfrytëzonim rastet që patëm në dispozicion. Do të ishte tjetër histori. Sigurisht që edhe në Spanjë gabuam. Nëse kalon në avantazh duhet ta menaxhosh. Këtu duhet të përmirësohemi.

Pastaj edhe penalltitë. Një notë zhgënjyese aty…

Është një argument i vështirë për mua. Por në fakt penalltitë nuk i gabojnë vetëm ata që nuk i godasin. Për fat kam një shok skuadre që nuk gabon asnjëherë si Çalhanoglu. Kundër Torinos më tha të godisja unë dhe do të ishte mirë që të zhbllokohesha. Por goditësi i penalltive është ai dhe ato duartrokitjet i meritonte të gjitha. Ka vuajtur shumë gjatë këtyre sezoneve dhe tani është një idhull.

Sa merita ka Inzagi në këtë triumf?

Na lë të luajmë të lirë dhe të kemi lumturi. Argëtohemi në fushën e lojës dhe jo vetëm sepse po fitojmë. Në këto 3 vite ai së bashku me ne është rritur në teknikë, në teknikë dhe në momentet kur flet me skuadrën. Kemi bërë një rritje të gjithë bashkë. Është një person i qetë, por kur tërbohet ai… Kur e quajmë “djalli” buzëqesh. Është një njeri i madh.

Me Konten kishte më pak lirshmëri dhe më pak batuta?

Sigurisht, por edhe atij i detyrohem shumë sepse ka sjellë një mentalitet fitues. Diferenca mes dy trajnerëve tregon se sukseset mund të arrihen edhe në mënyra të ndryshme. Të dy janë trajnerë shumë të zotë, që dinë të ndërtojnë skuadra të forta dhe fituese.

Cili është mendimi juaj për presidentin Zhang në këtë moment delikat?

Gjithmonë na ka qëndruar pranë, edhe pse këtë vit s’ka qenë fizikisht. Mjaftonte një telefonatë për të na bërë të ndiheshim mirë. Është një president i madh dhe nuk e dimë çfarë do të ndodhë. Ne jemi të qetë dhe po presim. Është diçka që nuk na takon ta komentojmë. Ne duhet thjesht të bëjmë detyrën në fushën e lojës dhe të mendojmë për të ardhmen.

Pse thatë që duhet të gjenit një marrëveshje për rinovimin këtë javë? Do të thotë se jeni më afër apo më larg?

Jemi afër dhe mungojnë vetëm disa gjëra të vogla. Kam thënë gjatë javës sepse pastaj përfundon kampionati dhe duhet ta mbyllnim këtë çështje përpara Kupës së Amerikës. Por po kuptoj që ndoshta situata e klubit mund të vonojë gjithçka. Ne flasim me Marotën dhe Auzilion, por varet edhe nga pronarët. Të shohim se çfarë do të ndodhë nga tani deri në fundin e javës tjetër, por nuk ka probleme mes nesh.

Trajneri Maskerno ju ka grumbulluar për Olimpiadën dhe tifozët interistë duket se janë të shqetësuar…

Edhe bashkëshortja ime, ka frikë për pushimet. Mua do të më pëlqente, por nuk kam marrë asnjë sinjal nga trajneri dhe në rast se ndodh duhet të diskutoj me Interin. Kalendari është i ngjeshur dhe po luajmë shumë ndeshje. Në këto kushte duhet që lojtarët të pushojnë pak. Unë nuk kam dëshirë që të qëndroj në pankinë, por yllin e dytë e fituam edhe me stolin. Kemi pasur lojtarë të rëndësishëm edhe në pankinë, që janë futur dhe kanë dhënë kontribut të çmuar në arritjen e objektivave.

Tani do të vijë Taremi. E njihni?

Jemi përballur disa herë dhe kam parë shumë ndeshje të tijat. Është një sulmues i rëndësishëm, me shumë teknikë dhe ka një mënyrë tjetër për të luajtur. Do të na japë një dorë të madhe dhe mund të jetë si Arnautoviç për kapacitetin për të nxjerrë përpara skuadrën.

Mbape, Haland, Levandovski dhe Kejn. Mendon se jeni në nivelin e tyre?

Po. Nuk kam asgjë më pak sesa ata. E thonë numrat dhe trofetë. Ka shumë kampionë që kanë fituar edhe më pak sesa unë. Sigurisht që duhet të vazhdoj të punoj me përgjegjësi, ashtu siç më ka mësuar im atë. Por sigurisht që mund të ulem në të njëjtën tavolinë me emrat e mësipërm.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"