Rodriges sheh pikët në Fushë-Krujë: Kemi forcën që të reagojmë, e mundim Kastriotin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 6, 2023 | 11:15

Rodriges sheh pikët në Fushë-Krujë: Kemi forcën që të reagojmë, e mundim Kastriotin

Apolonia është e vetëdijshme për “maloren” që e pret në Fushë-Krujë, por kjo nuk e pengon që të tentojë kthesën. Skuadra ka mbyllur përgatitjet dhe është gati që sot për të sfiduar Kastriotin. Ndonëse me mungesa, Jeraj Rodriges i bën llogaritë me pikët e plota. Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”, trajneri shpreh bindjen për reagimin e skuadrës së tij. I kthehet edhe një herë humbjes së pësuar me Bylisin, e cila dhemb ende. Evidenton se fierakët kanë ende për të korrigjuar, por as keq nuk janë.

Rodriges

A dhemb ende ajo humbje me Bylisin?

Të tregohem i sinqertë, më dhemb ende humbja ndaj Bylisit.

Çfarë nuk u bë mirë?

Ne e nisëm ndeshjen shumë mirë, gjithashtu edhe në pjesën e dytë ishim në lartësinë e duhur. I patëm rastet e pastra për shënim, por nuk arritëm dot të finalizojmë me sukses.

Po ai gol në minutat e fundit, mund të evitohej?

Golin në minutat e fundit nuk e pësuam si pasojë e lojës së mirë të kundërshtarit, prandaj mendoj se kemi humbur së paku një pikë. Megjithatë, ky është futbolli, duhet të marrim pozitiven nga loja e zhvilluar dhe natyrisht të korrigjojmë ato që nuk bëmë mirë në ndeshjen e radhës.

A do ta gjejë forcën për të reaguar skuadra juaj?

Normalisht që pas një ndeshjeje të humbur, reagimi është ai që pret çdo ekip. Kemi lënë pas atë ndeshje ndaj Bylisit dhe jemi të fokusuar te Kastrioti, për më tepër që kemi nevojë më shumë se kurrë t’u rikthehemi rezultateve pozitive. Unë kam besim të plotë te ky grup dhe mendoj që ekipi me Kastriotin, kundërshtarin e radhës, e ka forcën të reagojë. Veçse ua kam shpjeguar futbollistëve që duhet të jemi të kujdesshëm e inteligjentë në çdo moment.

Luani në transfertë me Kastriotin, çfarë prisni nga ky duel?

Jemi stërvitur rregullisht gjatë gjithë javës dhe do të futemi në fushë vetëm për tri pikët, edhe pse e dimë që do të jetë një transfertë e vështirë. Jemi një ekip shumë i fortë mendërisht dhe secili prej lojtarëve ka në mendjen e tij vetëm të konkurrojë denjësisht e në fund të triumfojë. Kjo gjë më pëlqen dhe më bën jashtëzakonisht krenar.

Kastrioti vjen nga Superiorja, ka plus edhe faktorin “fushë”. A do të kënaqeshit me një pikë?

Ata janë ekip i fortë dhe i mirë. Por ne shohim vetëm lojën tonë dhe jemi munduar t’i marrim maksimumin ekipit në stërvitje. Kemi respekt për ta, por do të mundohemi që të marrim më shumë për veten tonë dhe të jemi ne ata që do të dalin me pikët e plota në këtë takim. E kemi përgatitur më së miri ndeshjen, prandaj synojmë vetëm tre-pikëshin.

17 pikë në 9 javë. A është në rrugën e duhur Apolonia për objektivin madhor “Abissnet Superiore”?

Për sa kohë skuadra është në rritje, me pikë dhe me lojë, atëherë po, ne jemi në rrugën e duhur. Edhe humbja është pjesë e futbollit, çka do të thotë se kur humbasim, nuk jemi më të dobëtit, e as kur fitojmë, nuk jemi kurrsesi më të mirët. Ditë pas dite po punojmë fort për të përmirësuar gjithçka. Jam i lumtur që kemi grumbulluar 17 pikë, por nëse i rikthehemi analizës së ndeshjeve që kemi luajtur, mund të kishim bërë më mirë, pasi i kemi dominuar kundërshtarët me lojë dhe raste të krijuara. Jam i bindur që nëse do të kishim qenë më efikasë përpara portës do të kishim edhe më shumë pikë.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"