“Ritmin nuk e kemi ulur”, Bellai: Bëjmë llogaritë tona, titulli vjen në Ballsh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 21, 2024 | 9:26

“Ritmin nuk e kemi ulur”, Bellai: Bëjmë llogaritë tona, titulli vjen në Ballsh

Bylisi është mysafir në “Loni Papuçiu”, aty ku do të përballet me Apoloninë ku kërkohet fitorja dhe rimarrja e kreut të renditjes në Kategorinë e Parë. Trajneri Bellai ka besim se djemtë e tij edhe në Fier do të vazhdojnë që të “flasin” me gjuhën e fitoreve, teksa këtë e ka pohuar edhe në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”.

BELLAI

Bellai, si kanë qenë përgatitjet e skuadrës në prag të kësaj ndeshje?

Kemi punuar me të njëjtin ritëm dhe me më shumë besim në vetvete. Kjo vjen edhe si rrjedhojë logjikë e rezultateve dhe lojës së mirë që ne kemi bërë, sidomos në tri sfidat e fundit. Nuk kanë qenë të lehta, sepse kemi luajtur ndaj Kastriotit apo dhe Lushnjës e Korabit. Të njëjtën gjë do të kërkojmë edhe në Fier.

Keni fituar dy sfida më parë me Apoloninë, madje në fazën e parë në “Loni Papuçiu”…

Kjo ndeshje është ndryshe si për ne ashtu edhe për fierakët. Në përbërje jemi njësoj si ekipe me ndonjë lëvizje të vogël, ndërsa vetë objektivat që ne kemi na detyrojnë që të luajmë vetëm për fitore. Ne duam titullin dhe vendin e parë, kurse Apolonia synon që të jetë në “play-off”. Kështu që, na duhet të bëjmë më shumë se maksimumi.

Shumë lëvizje në formacion javët e fundit, pse ka ndodhur?

Po bëjmë rotacione dhe kur shohim që rezultatin e administrojmë, ne u japim hapësira edhe djemve të rinj që kemi në skuadër. Kështu që, ne krahas synimeve që kemi, duam të realizojmë edhe misionin apo politikën që ka klubi prej vitesh, t’u japim hapësirë sa më shumë lojtarëve të rinj.

Superioren e siguruat, po titullin a do e sillni në Ballsh?

Atë duan të gjithë, sepse edhe ndeshjen e fundit e luajmë në shtëpinë tonë dhe le ta kthejmë në festë. Gara ka qenë e gjatë, e shumë e fortë dhe me shumë rivalitet. Kjo, sepse ka pasur shumë ekipe që e kanë kërkuar elitën. Ne, Elbasani, Apolonia apo Flamurtari e Vora. E megjithatë, ne e realizuan objektivin madhor e tashmë duan që ta sjellim edhe titullin në Ballsh.

Cila skuadër ka kalendar më të vështirë, ju apo Elbasani?!

Po njësoj e kemi, mua më intereson që të bëj llogaritë e mia dhe që të fitojmë të gjitha ndeshjet. Nëse i fitojmë të gjitha takimet, jam shumë i kënaqur dhe kjo do të ishte perfekte. Për këtë do të synojmë.

ap by

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"