“Respekt për Memellin, por triumfon Skënderbeu”, Prençi: Peng vetëm ndeshja me Kukësin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 19, 2023 | 17:29

“Respekt për Memellin, por triumfon Skënderbeu”, Prençi: Peng vetëm ndeshja me Kukësin

Skënderbeu është fokusuar te ndeshja e së shtunës përballë Vllaznisë në Korçë, teksa do të tentojë rikthimin te fitorja. Për mbrojtësin Elvis Prençi humbja me Laçin ka qenë diçka e paparashikuar, pasi bardhekuqtë ishin përgatitur për tjetër rezultat.

prenci

Në intervistën për “Panorama Sport”, ai thekson se reagimi është ajo që tregon forcën e një ekipi, prandaj dhe pret fitore ndaj Vllaznisë. Për mbrojtësin është emocionuese përballja me ishtrajnerin e tij, Migen Memellin, por është i bindur se Skënderbeu do të dalë me tri pikë në fund. Elvis, humbja me Laçin është lënë pas krahëve.

Sa i ka shërbyer Skënderbeut kjo periudhë dyjavore?

Normalisht që humbjet asnjëherë nuk janë të mira, sidomos kur je në një moment pozitiv të rrugëtimit. Për këtë mund të them se humbja në Laç për ne ka qenë e papritur, pasi ishim përgatitur mirë dhe mund të bënim më mirë në raport me rezultatin. Gjithsesi, tashmë është diçka që e kemi lënë pas krahëve dhe jemi të përqendruar te ndeshja e radhës. Kjo periudhë pushimi na ka shërbyer për të rikuperuar energji dhe për të reflektuar mbi gabimet tona. Për fat të mirë kemi rikuperuar gjithë lojtarët dhe jemi të plotë për ndeshjen e radhës.

Në Korçë vjen Vllaznia, do të luani vetëm për tri pikët?

Skënderbeu kudo luan për tri pikët dhe ai është objektivi ynë i vetëm për çdo ndeshje. Gjithmonë me këtë objektiv hyjmë në fushë dhe më pas gjithçka varet nga ajo që tregojmë dhe që na rezervon fati.

Si kundërshtar është një njohje e vjetër, Migen Memelli, i cili tashmë drejton Vllazninë?

Është emocionuese normalisht, pasi me profesor Memellin kemi punuar në dy sezonet e fundit dhe kemi luftuar për të qenë brenda objektivave. Sigurisht që respekti është maksimal dhe reciprok, qoftë nga ana jonë dhe po ashtu nga ana e tij. Do të jetë një ndeshje interesante.

Një trepikësh i Skënderbeut mund të fusë Vllazninë në krizë të thellë dhe gjithashtu rrezikojë stolin e Memellit…

Ky është një problem i Vllaznisë dhe një çështje që ju përket vetëm atyre. Unë e thashë edhe më sipër, jemi miq dhe kemi respekt. Është mirënjohje reciproke, por këto mbeten jashtë fushe. Në fushë secili mendon për objektivin e klubit që përfaqëson. Këto janë gjëra të njohura tashmë në futbollin profesionist.

Në tetë javë keni grumbulluar 12 pikë. A keni ndonjë peng nga kjo fazë e parë?

I vetmi peng dhe këtë e them me bindje, është ndeshja e humbur në Korçë kundër Kukësit. Ka qenë një takim që duhet ta kishim fituar dhe për këtë më vjen më shumë keq. Nuk duhet ta humbnim atë ndeshje, sepse tani do të ishim duke folur ndryshe.

Keni fituar me Egnatian dhe Partizanin, ndërsa humbët me Kukësin dhe Teutën. Çfarë tregojnë këto rezultate?

Mendoj se tregojnë dy gjëra. Së pari, Skënderbeu është një ekip që mund të përballet si i barabartë me pretendentët e këtij sezoni dhe kjo duket më së miri nga qasja që kemi bërë në ndeshjet që kemi luajtur me Egnatian, Partizanin, por edhe një pjesë të mirë të ndeshjes me Tiranën, pavarësisht rezultatit. Nga ana tjetër, tregon edhe një fakt po kaq të rëndësishëm që ekipet e Superiores kanë thuajse një nivel të përafërt dhe kampionati është më i vështirë.

Kush mendoni se është çelësi i ecurisë pozitive të Skënderbeut në këtë fazë të parë kampionati?

Besoj se është grupi. Harmonia që është krijuar brenda grupit. Jemi një grup cilësor dhe me shumë potencial. Kemi djem të rinj që sakrifikojnë për fanellën dhe kanë cilësi për të treguar. Nga ana tjetër, mund t’ju them edhe diçka, që konkurrenca jonë është vetëm në fushë, pas ka plot shembuj që lojtarët e një pozicioni që luftojnë për një vend titullari, rrinë bashkë dhe kanë harmoni me njëri-tjetrin. Kjo besoj se ndikon më shumë. Plus kësaj, janë edhe tifozët që na japin motivim dhe mbështetje në çdo ndeshje apo seancë stërvitore.

LLAZI SARO -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"