Reportazh nga stërvitja/ Flamurtari në humor, sekretari Ribaj zbret në fushë dhe shënon gola si futbollist

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 22, 2024 | 12:14

Reportazh nga stërvitja/ Flamurtari në humor, sekretari Ribaj zbret në fushë dhe shënon gola si futbollist

Pasndeshja me Korabin solli zhvillime “të hidhura” në Vlorë. “Qershia mbi tortë” ishte fitorja e ndeshjes, por polemikat me delegatin e FSHF-së, Bujar Pregja dhe dënimi me 6 ndeshje pezullim nga aktiviteti i trajnerit Eqerem Memushi, kanë trazuar disi situatën. Pavarësisht se klubi është në sulm me FSHF-në, skuadrën po e mbajnë larg këtyre ngjarjeve.

memushi ribaj shkurtaj

“Panorama Sport”, ndoqi nga afër seancën e djeshme stërvitore të zhvilluar gjatë paradites në fushën sportive në Pyllin e Sodës. Eqerem Memushi e “shtrydhi” skuadrën në një seancë që zgjati plotë 1 orë e 30 minuta. Seanca nisi në orën 11:00 dhe përfundoi në 12:30. Edmond Liçaj e ndoqi seancën përgatitore në pankinë bashkë me disa nga anëtarët e bordit të klubit. Drejtori Alfred Ferko ka qëndruar në këmbë në komunikim të vazhdueshëm me përgatitësin e portierëve Luan Birçe. Ndërsa përgatitësi tjetër i portierëve, Erion Dinaj, ka qenë gjithë kohës duke udhëzuar portierët dhe ndjekur me vëmendje skuadrën.

 

STËRVITJA DHE KËSHILLAT- Me autoritet, zë të lartë dhe shpesh edhe të ngjirur trajneri Eqerem Memushi ka qenë i prerë në seancën stërvitore, si dhe shumë kërkues ndaj skuadrës. Ai ka kërkuar nga të gjithë lojtarët angazhim dhe vëmendje maksimale në përgatitjen e ndeshjes së radhës që luhet në Berat me Tomorin. Në këtë seancë stërvitore kanë ndryshuar rolet edhe për Andi Ribajn. Sulmuesi që u emërua në fillim të sezonit sekretar klubi, tashmë është ndihmës i Memushit. Por Ribaj dje i është rikthyer futbollit të luajtur në fushë, madje edhe ka shënuar gola në seancën stërvitore. Ribaj zëvendësoi Hasën që po rikuperohet. Ky i fundit dje ka bërë vrapime si dhe ka qenë nën shoqërinë e fizioterapistit. Trajneri Eqerem Memushi dje ka dhënë udhëzime për skuadrën gjatë stërvitjes, madje edhe ka vrapuar bashkë me lojtarët. Memushi ka kërkuar kujdes nga mbrojtja dhe sa më shumë sulme.

FL

“Dy takime, bëjmë gol në të dyja porta… Ec Vasil, ngushto skuadrën këtu në 15 metra. Duhet të ngushtohet skuadra. Nëse është një grup këtu dhe unë them lojë, atëherë vrapojmë shpejt. Fillimi është lojë muri. Duhet që t’i japim skuadrës mundësinë e pasimit. Duam lojë muri. 1, 2 në anësore. Gjuani portën! Provokoni topin. Është shumë e rëndësishme të bllokoni zonën e kundërshtarit”, kanë qenë disa nga kërkesat e trajnerit.

Prapa nuk ka mbetur as Lejdi Liçaj sa i përket këshillave të skuadrës. “Krijoni superioritet. Të luajmë te Indio. Leshi mos hajde kaq poshtë, lërja Sidibes anësoren. I njohur për batuta, Liçaj e ka dhënë një të tillë edhe gjatë seancës kur flitej me seriozitet. “Çuna bëni gol në të dy portat, tregohuni të zgjuar”.

BATUTA DHE INCIDENTE- Humori në Vlorë duket i lartë. Stërvitja e djeshme pati tonus edhe në batuta, shaka, por edhe…incidente. Lejdi Liçaj goditet me top në fytyrë. Ishte Sidibe që gjatë lojës çon pa dashje një top në fytyrën e zëvendëstrajnerit. Gjuajtja ishte e fortë, por pa pasoja. Luan Birçe ngacmon fizioterapistin e skuadrës:

Ore nuk na dhe një magnezium, sa i kursen! Më pas Birçe ulet mbi topin e llastikut që përdoret nga futbollistët për muskujt e barkut dhe shpinën. Por kjo tërheq vëmendjen e Lejdi Liçajt: “Profesor mirë aty? Ka suspacion”… Por reagon Birçe: “Si ata të zyrës”. Reagon sërish Liçaj: “Pa le të kesh edhe masazh te qafa”. Përgatitësi i portierëve Erion Dinaj, nisur edhe nga “zbori” i Memushit për fubollistët thotë: Janë të dënuar të gjithë!

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"