“Rënia e Besëlidhjes përshpejton maskaradën”, Gega: Stadiumi nuk prishet pa dëgjesë publike, do ishte një krim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 13, 2023 | 21:54

“Rënia e Besëlidhjes përshpejton maskaradën”, Gega: Stadiumi nuk prishet pa dëgjesë publike, do ishte një krim

Besëlidhja e ka marrë rrugën drejt Kategorisë së Dytë. Ndonëse kanë mbetur edhe 4 javë nga përfundimi i krejt garës, rënia është e pashmangshme. Duket si një skenar i paralajmëruar, për një ekip që nuk ka tashmë një fushë stërvitore dhe mbi të gjitha stadiumi do t’i prishet.

Stadiumi Beselidhja

Në janar u krijua përshtypja se situata do të ndryshonte, kur presidenca dhe vetë Bashkia Lezhë trumbetuan ringritjen e futbollit në qytet dhe për më tepër nuk u kursyen as me merkaton. E megjithatë, kriza është ulur këmbëkryq në mesin e muajit prill.

Kjo gjendje dramatike i dhemb çdokujt që ka kontribuar sadopak për këto ngjyra. E megjithatë, ai që merr guximin të flasë hapur është Gjovalin Gega. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ish-futbollisti i viteve ‘70-‘80, analizon shkaqet që çuan skuadrën në këtë pikë.

Besëlidhja po shkon drejt rënies në Kategorisë e Dytë. A e kishit menduar që do të shkonte kështu historia e një klubi me traditë gati 100- vjeçare?

Besëlidhja është një ekip elitar dhe kulmin e vetë e ka pasur në vitet ‘70-‘80. Lezha ka pasur tradicionalisht trajnerë të specializuar si i ndjeri Isuf Pelingu, Vasil Bici apo edhe të tjerë, dhe kjo nuk ka ardhur rastësisht. Por, e ka një shkak pse sot jemi në këtë gjendje.

Cila është arsyeja, sipas jush?

Një ekip po nuk pati mbështetje financiare dhe profesionale, nuk mund të ketë as futboll cilësor. Kjo është arsyeja.

A ka ndikuar prishja e ambienteve stërvitore në rezultatet negative të Besëlidhjes gjatë këtij sezoni?

Ne në kohën tonë kishim rreth 25 fusha futbolli të shpërndara nëpër zona. Kjo ka ndikuar mjaft pozitivisht në seleksionimin e talenteve në atë kohë, duke nisur që nga Nikolin Lorenci, Vasil, Bici, Paulin Deda, Zef Doda, Gjergj Voka, Gjergj Filipi, Vesel Sokoli e shumë e shumë të tjerë. Ndjesë pasi nuk kemi as vend e kohë për t’i përmendur të gjithë.

BRUKA BESELIDHJA

Po ashtu, ka pasur hapësira të bollshme stërvitore edhe për ekipin e parë. Kur kam parë duke u prishur aneksi, kam qarë me lot. Kam shtëpinë aty afër dhe kur pashë një grup fëmijësh që ishin nisur si zakonisht për t’u stërvitur dhe aty u përballën me makineri, gropa e grumbuj zhavorri.

Si u ndiet kur patë ato pamje?

Jo vetëm që kam qarë, por jam ndier shumë keq. Aty, ata që në hapat e parë janë ndarë nga futbolli. Ky është krim. Aneksi është shtëpia e stërvitjes, ku prodhohet ekipi i së ardhmes.

Do të prishet edhe stadiumi dhe në atë hapësirë do të ndërtohet një qendër multirekreacioni. Mendoni se rënia është një “skenar” i paralajmëruar për këtë çështje?

Nuk e besoj se do të shkojë puna deri te prishja edhe e stadiumit. Ky do të ishte një krim i madh. Duhen kaluar shumë etapa për këtë ndërmarrje. Duhen organizuar dëgjesa publike, duhet caktuar vendi i përshtatshëm për ndërtimin e tij. Prishja vjen pasi të jenë përmbushur këto etapa dhe nisja e ndërtimit të ambienteve të reja. Ulja në Kategorinë e Dytë edhe mund ta përshpejtojë këtë maskaradë. Jetojmë në vendin dhe kohën e çudirave.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"