Realizoi golin historik me fanellën e Maliqit, Ivani rrëfen emocionet: Nuk e diskutojmë mbijetesën…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 18, 2021 | 10:15

Realizoi golin historik me fanellën e Maliqit, Ivani rrëfen emocionet: Nuk e diskutojmë mbijetesën…

Pas debutimit historik ndaj Lushnjës në Kategorinë e Parë, juglindorët e Maliqit do të zbresin ditën e sotme në fushën e kompleksin sportiv “Internacional”, në Pezë-Helmës, për t’u përballur me Vorën, në sfidën e vlefshme për javën e dytë të kampionatit. Paolo Ivani, ishte heroi i maliqarëve, që shënoi golin historik, në triumfin 2-0 ndaj myzeqarëve të Ilir Gjylës.

ivani

Në minutën e 20-të, futbollisti 24-vjeçar, mposhti portierin Malaj, teksa shkroi emrin me gërma të arta në historinë e Maliqit, duke u bërë kështu lojtari që shënoi golin e parë në debutimin në Kategorinë e Parë. Gjatë një interviste ekskluzive për “Panorama Sport”, Ivani rrëfeu emocionet e golit të parë për Maliqin në këtë kategori, teksa u shpreh optimist në lidhje me të ardhmen e skuadrës.

Ivani, realizuat një gol historik me fanellën e Maliqit, përballë Lushnjës. Si u ndjeve?

Jemi ekip i ri, luajmë për herë të parë dhe donim që ta nisnim mirë kampionatin. Ai gol sikur më çliroi nga ato emocionet e ekipit debutues. Në moment nuk e mendova këtë gjë, që goli ishte historik, por pas ndeshjes, jam ndjerë vërtet shumë mirë dhe shpresoj ta ndihmoj ekipin me sa më shumë gola që të arrijmë objektivat tona.

Si është atmosfera në ekip në prag të sfidës me Vorën, do të ishit të kënaqur edhe me 1 pikë, apo do të futeni në fushë vetëm për fitore?

Atmosfera që në fillim ka qenë shumë e mirë, sidomos pas kësaj fitoreje me Lushnjën, është akoma dhe më e mirë, jemi shumë të motivuar të bëjmë mirë dhe në këtë ndeshje të radhës. Tani s’ka ekipe të lehta, të gjitha janë njëlloj dhe normale, Maliqi hyn në fushë në çdo ndeshje për 3 pikë.

Cilat janë objektivat personale këtë sezon, a i keni vendosur vetes një qëllim se sa gola dëshironi të realizoni?

Jo, nuk i kam vendosur. As nuk do e bëj, qëllimi i vetëm që i kam vendosur vetes është që në çdo ndeshje të futen në fushë dhe të jap 100 %. Të bëj më të mirën e mundshme, për të ndihmuar ekipin. Duke ndihmuar ekipin normale që ndihmoj edhe veten për të arritur sa më lart.

Në cili pozicion e shikoni Maliqin në javët e fundit të sezonit, në pesëshen e parë të renditjes, apo në luftën për mbijetesë?

Besoj se lufta për tu ngjitur në Kategorinë Superiore dhe ajo për mbijetesë do të jetë shumë e ashpër dhe nuk do të jenë shumë larg njëra-tjetrës. Unë jam i bindur se Maliqi do të mbetet në Kategorinë e Parë pa “Play-Off”.

Maliqi Ivani

Keni një mesazh për tifozët dhe skuadrën për duelin ndaj Vorës?

Tifozëve i bëjmë thirrje të na mbështesin sa më shumë se janë shumë të rëndësishëm për ne dhe ju premtojmë që do të japim maksimumin në çdo ndeshje. Skuadra duhet të vazhdojë stërvitjen me të nijetin pasion dhe dëshirë si dhe duhet të jemi gjithmonë më këmbë në tokë. Së bashku do të bëjmë gjëra të mira.

Maliqi5

ILDI MEROLLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"