Rashiti mbetet jashtë ekipit, Nica: S’ka krizë në ekip, duhet të mundim Teutën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 3, 2023 | 9:18

Rashiti mbetet jashtë ekipit, Nica: S’ka krizë në ekip, duhet të mundim Teutën

Kukësi luan të dielën në orën 13:30 një ndeshje shumë të rëndësishme ndaj një rivali direkt në luftën për mbijetesë si Teuta.

nica

Verilindorët vijnë pas katër rezultatesh radhazi që nuk fitojnë në kampionat, duke bërë që të zbresin në vendin e parafundit në klasifikim dhe iu rikthyer edhe njëherë etheve të mbijetesës. Për këtë arsye, çdo hap fals është i ndaluar dhe pritet që ndaj Teutës ekipi të jetë i plotë, përveç sulmuesit Atdhe Rashiti, që për momentin është i pezulluar nga klubi për shkak të përplasjes që pati me trajnerin në ndeshjen e fundit. Nuk dihet sesa do të zgjasë ky pezullim, por gjasat janë deri në fund të këtij viti dhe më pas të shitet gjatë merkatos. Gjithsesi, mësohet se është një situatë që do të shihet më konkretisht në vijim, teksa aktualisht lojtari nuk po stërvitet me skuadrën dhe është i sigurt fakti që këtë javë do të mungojë ndaj Teutës.Ku

TRAJNERI Në prononcimin e dhënë dje për “Panorama Sport” në lidhje me sfidën me durrsakët, trajneri Stavri Nica nuk e sheh si problematike situatën e skuadrës, e cila vjen pas katër javësh që nuk njeh shijen e fitores. Nicës i pëlqen reagimi që bën ekipi dhe kjo në njëfarë mënyre e bën të besojë se do të vijnë edhe fitoret.

“Të jem realist nuk mund t’i themi krizë këtij momenti që po kalojmë. Ndoshta kanë munguar rezultatet, por skuadra reagon, lufton dhe luan. Kjo do të thotë që është një grup që mund ta zgjidhë ndeshjen atëherë kur duhet. Nga ana tjetër në stërvitje i shoh të angazhuar maksimalisht lojtarët”, u shpreh fillimisht tekniku durrsak i Kukësit.

Në lidhje me objektivin në këtë përballje, ai thekson se duhen vetëm tri pikët dhe ky do të jetë synimi i vetëm.

“E kemi thënë që në ndeshjet në shtëpi duhet të marrim maksimumin dhe këtë do të tentojmë. Mund ta cilësoj edhe si një detyrim fitoren, por pa harruar që gjithnjë duhet të jemi me këmbë në tokë. Nuk do të kemi mungesa dhe skuadra do të jetë e plotë”, vijoi më tej prononcimin e tij Nica.

Trajneri u ndal edhe tek problemet dhe mungesën e Rashitit në stërvitje, duke e cilësuar si një çështje të tij me klubin.

“Për momentin nuk është në stërvitje. Lojtari ka problemet e veta me klubin, t’i zgjidhë së bashku me klubin”, përfundoi tekniku i Kukësit, i cili në ndeshjen e kaluar me Skënderbeun e shprehu hapur pakënaqësinë e tij ndaj 24-vjeçarit, duke e nxjerrë nga fusha vetëm pas 35 minutave lojë.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"