Ramilli “fatsjellës” te Besa: Jam i mbarë, me mua nuk humbni asnjë ndeshje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 8, 2023 | 17:53

Ramilli “fatsjellës” te Besa: Jam i mbarë, me mua nuk humbni asnjë ndeshje

Besa është “zgjuar”. Në 270 minutat e fundit kanë marrë 5 pikë, aq sa nuk kishin marrë në 7 ndeshje me radhë. Mesa duket Myslim Ramilli është “fatsjellësi” i kavajasve. Që prej kthimit të tij në fushë, verdhezinjtë nuk njohin humbjen. I pyetur rreth kësaj rastësie, ai për “Panorama Sport” përgjigjet:

besa

“Në jetë jam njeri i mbarë dhe besoj kështu ka ndodhur edhe me rikthimit tim te Besa. Mesa duket solla fatin (qesh)”. Teksa analizon më në detaje ekipin, shijakasi shpjegon çfarë ka ndryshuar. Ndalet edhe te ndeshja e radhës dhe pritshmërinë që kanë. “Në lojë praktikisht asgjë, thjesht jemi treguar më pragmatistë dhe më të kujdesshëm. Nuk është se nuk kemi prodhuar lojë, por ndërsa shpërdoronin raste pafund, janë marrë gola vërtet amatorë dhe pikërisht në minutat e fundit.

Në ndeshjet e fundit po ndodh ndryshe. Lojërat e mira harrohen dhe janë pikët ato që mbeten dhe këtë gjë po e vendosim në praktike. Jam i kënaqur që barazuam ndaj ekipit kryesues, madje në shtëpinë e tyre. Ishte një përballje mjaft e vështirë dhe ishim edhe me pak fat, pasi ata humbën 11-metërsh. Ne nuk qëndruam me ‘autobus’ në mbrojtje, pasi Besa nuk e njeh atë futboll. Krijuam disa raste shënimi, madje të pastra. Ky fakt më ngroh dhe duhet të vijojmë kështu.

Gara po bëhet gjithnjë më e fortë dhe vendi i parafundit për ne është i papranueshëm. Përpara kemi Kastriotin dhe do të nisim përgatitjet me mision të qartë. Të fitojmë dhe largohemi atij vendi që s’na përket neve. Ndeshjet po tregojnë se nuk ka asnjë kundërshtar të dobët. Krutanët kanë ruajtur grupin dhe barazuan me Apoloninë, çfarë tregon se nuk do të jetë e lehtë. Po për formën që po kalojmë ne, duhet e mund ta mbyllim këtë fazë të parë me një trepikësh. Pastaj faza e dytë na rezervon 6 takime në shtëpi dhe llogaritë do të bëhen ndryshe. Brenda pak javësh do të na shihni lart në renditje”, përfundoi Ramilli.

FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"