Qindra policë dhe stjuartë, masa të “çmendura”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2015 | 16:43

Qindra policë dhe stjuartë, masa të “çmendura”

skenderbeu milsamiAfro 400 policë dhe 120 stjuartë sigurie do të angazhohen sot në “Elbasan Arena” për të garantuar sigurinë, para, gjatë dhe pas ndeshjes, që ka vlera historike për klubin kampion në fuqi të Shqipërisë, Skënderbeu.

Drejtoria e Policisë së qarkut Elbasan ka marrë masa të rrepta, teksa organizimi është njësoj sikur të luajë Kombëtarja shqiptare. Tifozët nuk duhet të marrin sende të forta me vete, mes tyre edhe çakmakë, pasi nuk do të lejohen të hyjnë në stadium.

Vetëm dy ditë më parë, menaxheri i ndeshjeve të Skënderbeut, Ervis Hila, tregoi detaje të organizimit.

“Masat e sigurisë do të jenë si në një ndeshje kur luan Kombëtarja. Kemi menduar për 120 stjuartë që do të merren me sigurinë, por numri i tyre mund të rritet në varësi të tifozëve që do të jenë në stadium. E mira është që tifozët të mos vijnë në stadium vetëm pak minuta para fillimit të ndeshjes, por që në orën 19:00, pasi do t’u bëhet kontroll i rreptë. Gjithashtu, femrat të mos marrin mjetet e tualetit me vete. Do të ketë kontrolle të përpikta në hyrje të stadiumit dhe nuk do të lejohen pasqyrat e tualetit për zonjat apo buzëkuqet. Gjithashtu nuk do të lejohen të futen me çakmakë, bidonë me ujë e flamuj me shkopinj. Stadiumi ka të gjithat komoditetet, nuk ka nevojë për t’u futur gjëra nga jashtë”, është shprehur Hila. Ndërkohë, edhe dje në Elbasan vijoji me intensitet të lartë shitja e biletave për këtë takim. Nëpër sportele janë parë radhë të gjata të sportdashësve, që kanë dashur të pajisen me bileta. Duke qenë se kjo është diçka historike për futbollin shqiptar, elbasanasit ndihen me fat që historia mund të vendoset në stadiumin e qytetit të tyre, ndaj edhe duan ta shohin nga afër këtë ndeshje. Sipas të gjitha gjasave, mendohet se sot “Elbasan Arena” do të ketë afro 10 mijë të pranishëm. Katër mijë tifozë pritet të vijnë nga Korça, ndërsa pjesa tjetër janë nga Elbasani dhe qytete të tjera të vendit. Mësohet se tifozë nga Moldavia do të ketë vetëm 20 veta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"