Qendërmbrojtësi Abdulai: Besës nuk i falen 10 minuta e fundit me Kastrioti, ja si mbijetojmë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 17, 2024 | 23:16

Qendërmbrojtësi Abdulai: Besës nuk i falen 10 minuta e fundit me Kastrioti, ja si mbijetojmë

Besa mposhti Kastriotin në shifrat 3-2, por në 10 minutat e fundit kavajasit rrezikuan seriozisht fitoren. E gjithë pesha ra mbi supet e prapavijës, ku Ramilli e Abdulai vuajtën jo pak. Kjo e ka nervozuar Nuredin Abdulain, që shprehet i pakënaqur me ato minuta:

BESA TOMORI

“Ju siguroj se nëse do të luanim jashtë shtëpie dhe do lejonim atë presion e raste të 10 minutave të fundit, me siguri që do pësonim edhe 3 apo më shumë gola. Jam i habitur me atë tërheqje prapa të sulmit e mesfushës, duke na i lënë prapavijës fatet e ndeshjes. Për 80 minutave dominuam, krijuam e shënuam 3 gola. Nuk i jap dot përgjigje asaj se çfarë ndodhi. Trajneri Bubeqi pas sfidës, krahas urimit na dha një ‘dajak’ të lehtë të gjithëve. 4 fitoret radhazi na kanë mbajtur veten në garën e mbijetesës, pasi në të kundërt sot do kishin fatin e Tomorit.

Do isha i kënaqur nëse me këto fitore të renditeshim në zonën ‘play-off’, por s’ka vend për gëzim, pasi Besa ende nuk e ka evituar rënien nga kategoria, gjë që nuk më duket e drejtë. Është koha të ulim kokën e luftojmë në katër finalet që na kanë mbetur. Këto fitore që kemi marrë së fundmi mund të hidhen në ‘erë’ me vetëm 1 humbje, aq më shumë që kalendari nuk është se na ka buzëqeshur. Duhet të kemi shumë kujdes, duke nisur nga kjo javë, kur udhëtojmë në Lushnjë, e cila gjithashtu luan për të shmangur më të keqen. Nuk kemi kohë për të gëzuar fitoren me Kastriotin. Duhet të punojmë fort që të krijomë vazhdimësi fitores dhe të mos përsërisim minutat e fundit të ndeshjes me Kastriotin”.

FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"