PSG-ja shfaq interes për Turamin, Interi vendos çmimin 80 milion euro

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 12, 2024 | 17:38

PSG-ja shfaq interes për Turamin, Interi vendos çmimin 80 milion euro

Vetëm një sezon me Interin dhe Markus Turam mund të jetë i sakrifikuari i radhës për skuadrën nga Milano. PSG-ja është duke kërkuar me ngulm informacione për sulmuesin francez dhe e sheh si lojtarin ideal për të zëvendësuar Kilië Mbapenë. Pavarësisht se Viktor Osimhen është i pari në listën e dëshirave, edhe Tikus po fiton gjithnjë e më shumë terren. I transferuar në merkaton e verës me kosto zero nga Gladbahu shihej si një bast nga të gjithë, por ky bast u fitua nga Auzilio.

TURAM

Drejtori sportiv i Interit po e ndiqte prej kohësh dhe e shihte si pasuesin ideal të Lukakut. Në fakt, zikaltrit nuk kanë asnjë qëllim që ta vendosin lojtarin në merkato dhe po mendojnë vetëm se si ta përmirësojnë skuadrën. Mirëpo, shitja e tij për 80 milionë euro do të sillte një plusvalencë të madhe për zikaltrit dhe para për të operuar në merkato. Në të shkuarën Interi ka qenë i detyruar që të bëjë shitje të tilla pasi nga Kina është rregulli i pashkruar që duhet autofinancim i merkatos. Me këtë buxhet, Marota do të bënte mrekulli, por Turam është një lojtar jo lehtësisht i zëvendësueshëm. Gudmunson është ëndrra e madhe e merkatos së verës, për të cilin Xhenoa kërkon 40 milionë euro. Nuk përjashtohet mundësia që Turam të sakrifikohet për afrimin e islandezit, por edhe për të blerë mbrojtës.

Një tjetër lojtar në merkato mund të jetë Denzel Dumfris, i cili është në skadencë kontrate për sezonin e ardhshëm. Në të shkuarën klubin e kanë përshëndetur Lukaku, Hakimi, Onana dhe Brozoviç, që kanë ndihmuar arkat e klubit për të përmirësuar bilancet. Markus Turam ka realizuar 10 gola në këtë sezon në Serinë A dhe ka dhënë 11 asiste për shokët e skuadrës. Në muajt e fundit nuk është në formën më të mirë fizike, por ndaj Kaljarit ka shansin e artë për t’u rikthyer te goli.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"