PROBLEMATIKË E MPREHTË E KAMPIONATIT/ Kundër 4 fazave të mërzitshme të vetëm 10 skuadrave!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 14, 2023 | 19:51

PROBLEMATIKË E MPREHTË E KAMPIONATIT/ Kundër 4 fazave të mërzitshme të vetëm 10 skuadrave!

Nga BESNIK DIZDARI
Prej do vitesh bukur të mira më është bërë zakon që pak mbasi përfundon Kampionati Kombëtar i Futbollit i Republikës së Shqipërisë, shtetas dhe gazetar i së cilës jam, të shkruaj, të kritikoj, të propozoj, të përsiat, të përimtoj, të përsëris, të kërkoj, të kujtoj se ky kampionat duhet të ndryshojë. E di, jam bërë “monoton”. Natyrisht thjesht për shkak të trysnisë që më bën nënshtrimi fort përulës (nuk dua të them “servil”) ndaj kësaj gjendjeje, që ia ka humbur deri sa s’ka ku shkon më vlerat garës sportive më historike, më popullore, asisoj, të Shqipërisë, që është Kampionati i saj Kombëtar i Futbollit. Natyrisht i shkruar me germa kapitale.

partizani

Përpiqem tejet të heq dorë nga kjo përsëritje e kësaj teme kardinale që sa fort ka të bëjë me zhvillimin e futbollit qytetar shqiptar, por ja që nuk mundem. Dhe po vazhdoj përsëri. Por kësaj here me një ndryshim thelbësor. Nuk do t’i drejtohem më Federatës Shqiptare të Futbollit, sepse e kam kuptuar që nuk ia vlen. Dhe jo vetëm unë, por të gjithë ata, të cilët ndiejnë dhimbje për Kampionatin Kombëtar të Futbollit.

Kështu pra, me këtë shkrim kam dëshirë t’u drejtohem të nënshtruarve ndaj kësaj FSHF-je: trajnerëve, presidentëve të klubeve, kryetarëve të bashkive të qyteteve kryesore që mbarështrojnë jo pak Kampionatin Kombëtar të Shqipërisë, futbolldashësve, krejt qytetarëve të këtyre qyteteve tradicionale të futbollit e të kampionatit. Me vetëm një synim: që të ndikoj sadopak, që të gjitha këto personalitete që po i quaj publike, i gjithë ky mjedis i dashamirësisë sportive, të mos i nënshtrohen më organizimit të deritashëm të FSHF-së. Në mënyrë madje që, siç kam shkruar pak ditë më parë, të marrin në duart e tyre fatin dhe ecurinë e Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë. Edhe ngaqë ky kampionat nuk është i FSHF-së, por është tyri.

E gjithë kjo nga jashtë të duket diçka e vështirë. Në të vërtetë kjo është shumë e lehtë. Për këtë, së pari, mjafton që drejtuesit e klubeve të futbollit të mblidhen e të formojnë një orë e më parë Ligën Kombëtare të Futbollit. Doemos jo si ajo që u shua pa u ngritur mirë, e cila siç besoj se e kujtoni, vuri në krye të saj zëvendëspresidentin e FSHF-së, duke thelluar varësinë autokrate të klubeve te FSHF-ja. E mandej, siç e dini, për fat, ai, me mend në krye, hoqi dorë dhe pseudoliga u zhduk.

Asnjë pengesë pra, nuk ka për të mos vepruar kështu. Ka vetëm një “pengesë”, megjithatë, që mund ta quaj pseudoshoqërore, nënshtruese, e heshtur deri aty sa nuk ka ku shkon më: mosguximi.

Kësisoj, për përmbysjen e këtij organizimi të tashëm të kampionatit kombëtar, do të duhej që ky që vjen të niste me shtimin e skuadrave. E kam fjalën për kampionatin 2023-2024, për të cilin i duhet hequr e drejta FSHF-së për të marrë pjesë në këtë ndryshim. Edhe ngaqë në të gjitha vendet e Europës së futbollit, këto ndryshime apo organizime i përkasin vetëm Ligës Kombëtare të Futbollit.

FSHF ka vërtetuar se nuk ka dhimbje për situatën joatdhetare që ka krijuar me varfërimin e kampionatit të Shqipërisë. Më duhet të kujtoj edhe këtu se po bëhen nja 3-4 vjet të mira nga mosdëgjimi dhe nga mosdhënia përgjigje kërkesës së mbi 30 klubeve të futbollit për shtimin e skuadrave në kampionat. Duke përvetësuar kjo FSHF, me një lloj prepotence të rrallë, të gjitha kompetencat e Ligës, ndryshe nga të gjitha shtetet e botës dhe të Europës. Ju kujtoj lexuesve se një vit më parë madje, pata mbërritur deri aty saqë shkrova se këtë nuk mund ta bëjë më Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së, thuajse lokal dhe jokombëtar në përbërjen e tij, por shteti e Parlamenti i Shqipërisë. Se për sa i përket ministrisë përkatëse apo dhe KOKSH-it, prej kohësh jemi bindur se nuk u dhimbet as Korça, as Vlora, as Elbasani, as Berati, as Kavaja, as Gjirokastra, as Dinamo, as Fieri, as Lushnja – të gjitha në Kategorinë 2, madje dhe në atë të 3- ën!

Kështu kemi mbërritur edhe në këtë vit 2023: që në kampionatin e Shqipërisë, prej themeluesve dhe zhvilluesve gati shekullorë të tij, kanë mbetur vetëm skuadrat e 4 qyteteve: Tiranë, Shkodër dhe Durrës! E për fat u rikthye edhe skuadra e Korçës që është Skënderbeu. Dhe me rikthimin e Dinamos, më duhet të përsëris (o Zot i madh, sa shumë që më duhet të përsëris) se: Kampionati 30 për qind të skuadrave i ka nga kryeqyteti, Tiranë. Ndërsa nga Jugu i Shqipërisë ka vetëm një: Skënderbeun e Korçës!

Kështu, përsëri mbërrijmë te propozimi ynë “monoton” tashmë, edhe për kampionatin e Shqipërisë 2023-‘24. Ky propozim do të ishte ai, i cili na thotë që të kemi një kampionat jo me 10 skuadra, por me këto 16 skuadra pjesëmarrëse:

1. PARTIZANI / Tiranë
2. SK TIRANA / Tiranë
3. EGNATIA / Rrogozhinë
4. VLLAZNIA / Shkodër
5. KF LAÇI / Laç
6. TEUTA / Durrës
7. KF KUKËSI / Kukës
8. ERZENI / Shijak
9. SKËNDERBEU / Korçë
10. DINAMO / Tiranë

Siç kuptohet, këta 10 të parët i kam vendosur sipas renditjes së kampionatit 2022-‘23, duke vënë në vendet 9 e 10 të saporikthyerit, Skënderbeu dhe Dinamo, të cilët zunë dy vendet e para të kampionatit të ashtuquajtur, edhe pse rrêjshëm, i Kategorisë 1.

Skuadrat e tjera për t’u përfshirë në 16-shen e kampionatit të ri, këtij 2023-‘24, ma do mendja se u takon të jenë këto:

11. FLAMURTARI / Vlorë
12. TOMORI / Berat
13. KORABI / Peshkopi
14. APOLONIA / Fier
15. BYLISI / Ballsh
16. KASTRIOTI / Krujë

Kjo do të ishte 16-shja e kampionatit 2023- ‘24, duke vendosur që të mos ketë zbritje në Kategorinë 1, pra që Bylisi e Kastrioti të mos zbresin nga kategoria, ndërkohë që mbasi rikthehen Dinamo e Skënderbeu, arsyeja e shtimit të 6 skuadrave të tjera është kjo:

Flamurtari i Vlorës, Tomori i Beratit, Korabi i Peshkopisë, Apolonia e Fierit vijnë ngaqë zunë vendet 3, 4, 5, 6 në kampionatin e ashtuquajtur 1. Pas tyre vijnë të rënët, Bylisi dhe Kastrioti. Kjo duke u vendosur pra, që të mos ketë rënie nga Kategoria.

Në historinë e kampionateve të Shqipërisë ka ndodhur disa herë që është anuluar rënia nga kategoria. Kjo për hir të shtimit të skuadrave. Për shembull, për të rritur numrin e skuadrave kjo ka ndodhur për kampionatet kombëtare të viteve 1948, 1950, 1952, 1955, 1960, 1963, 1968, 1991, 1992, 1995, 1966 dhe 2012.

Dhe jo vetëm që ky shtim i skuadrave nuk ka bërë ndonjë dëm, por përkundrazi, ai ka pasuruar e forcuar kampionatin.

Kështu pra, mund të veprohet edhe për kampionatin 2023-‘24 me 16 skuadra. Dhe nuk ka asnjë çudi. Sepse Shqipëria ka zhvilluar edhe më parë nja 5 kampionate me 16 skuadra (1955, 1992, 1993, 1995, 1999); e madje nja 3 kampionate (1996, 1997, 1998) edhe me 18 skuadra! Ndërsa një herë, më 1952-shin, deri me 20 skuadra. Se me 14 skuadra ka zhvilluar plot 25 kampionate kombëtare. Pa harruar 20 kampionate të tjerë që kanë pasur 12 skuadra pjesëmarrëse.

Askush dhe asgjë nuk pengon për ta flakur tej këtë kampionat të ngushtuar në një dekadë të tërë me vetëm 10 skuadra. Aq më tepër që përveç traditës së saj të pasur të mësipërme, Shqipëria nuk ka përse të mos i ngjasojë tërësisë së Europës në të cilën plot 40 e më shtete i zhvillojnë kampionatet e tyre me mbi 12, 14, 16, 18 e deri me 20 skuadra pjesëmarrëse.

Pseudoshkaqet, pseudorregullat, pseudomendimet, pseudoarsyetimet që dëgjojmë tash 10 vjet, nuk kanë më vlerë. Kemi 10 vjet me një cilësi vendnumëro të kampionatit tonë kombëtar. Kemi boshatisje të stadiumeve. Kemi indiferencë të paparë në ndjekjen e kampionatit. Pse jo, kemi shtim talentesh (shihni përbërjet e ekipeve kombëtare). Kemi deri dhe cenim të vetë pasurisë së jetës kulturore, sportive e sociale të qyteteve më futbollistike të Shqipërisë.

E patë stinën që shkoi se si krejt papritmas e bënë Kategorinë 2 me 16 skuadra pa pyetur askënd dhe po kështu rrufeshëm e bënë me 14! E tash po pëshpëritet se prapë mund ta zvogëlojnë me 12. Ndryshime pa pyetur askënd, pa ruajtur rreptësinë e zbritjeve e ngjitjeve të skuadrave nga një kategori në tjetrën, madje. Dhe deri me zhvillimin e nja mbi 15 ndeshjeve të “play out”-it e të “play off”-it, siç ngjau edhe sivjet, që ec e merre vesh ku e kanë gjetur dhe me çfarë qëllimi i sendërtojnë. Deri dhe me “play off”-in unik në Europë që ishte ndeshja e skuadrës së 8-të të kampionatit kombëtar me të 5-ën e Kategorisë 1 në fushën e së parës. Që ndoshta mund ta gjejnë veç në Hënë, se për në Tokë ajo nuk gjendet askund.

Kemi një kampionat me 4 faza, me ndeshje 4 herë midis dy skuadrave çka ka krijuar një kulm monotonie e mërzie pa asnjë efekt në rritjen e popullaritetit e të cilësisë së kampionatit. Ku deri dhe i ashtuquajturi “derbi i derbeve”, ku SK Tirana–Partizani, po katër herë, çka nuk ka sjellë asgjë të veçantë përveçse një zhurmë publicitare.

Krahasojeni tash kampionatin e “dhjetëshes” në fjalë, me një kampionat me 16 skuadra e me vetëm dy faza. Mos e krahasoni në këmbë e në dorë. Por uluni e mendojeni e diskutojeni, jo me ne, se ne nuk kemi nevojë, por mes veti për të kuptuar se çka keni bërë tash 10 vjet!… Teksa kufiri i këtij kampionati “të dhjetëshes” në fjalë, merr fund në veri të lumit Shkumbin. Ku si në kufirin midis shteteve ruan një “roje” e vetme: Teuta e Durrësit. Jugu i Shqipërisë, me plot qytete, që sa shumë i ka dhënë futbollit kombëtar, është gati zero. Ndonëse na tradhton paksa Skënderbeu i Korçës që zëvendësoi Bylisin e Ballshit.

Dhe përsëri shkoj te pyetjet e mia “monotone” si vetë kjo problematikë po monotone:

Sa vjet ka Besa e famshme për ne, e Kavajës pra, në stadiumin e së cilës sot kullot bagëtia, e cila nuk luan në Shkodër? Sa vjet ka që Berati me stadiumin e tij të drobitur deri në skaj, që kur u përurua 40 e sa vjet më parë, e quajtëm olimpik, i cili nuk luan në Tiranë? Sa vjet ka Elbasani, që stadiumin e tij modern veç e lëshon me qira, i cili nuk luan në Durrës? Sa sezone po na bëhen që Gjirokastra e Vlora nuk po luajnë në kryeqytet për kampionatin e Shqipërisë?

Dhe i kthehem numrit të spektatorëve të kampionatit që sapo përfundoi.

Përsëri mesatarisht as 1000 shikues për ndeshje. Nëse po gabojmë, atëherë FSHF të na përgënjeshtrojë e të na japë numrin e saktë të spektatorëve në ndeshjet e kampionatit.

Por ajo nuk ka guxim ta bëjë këtë, se prej kaq vitesh është e vetmja federatë në Europë që nuk fikson, nuk numëron praninë e spektatorëve në kampionat. Ndonëse këta janë kaq pak sa mund t’i numërosh me gishtat e dorës dhe jo me bileta të shitura.

Dhe prapë të vazhdohet me 4 fazat e mërzitshme e monotone të vetëm 10 skuadrave?…

Nëse vazhdon nënshtrimi përulës i derisotëm, sigurisht që po. Ndërsa nëse ky nënshtrim flaket tej brenda këtij korriku 2023, Shqipëria do të ketë një kampionat të ri me 16 skuadra të sistemit perëndimor anglosakson me vetëm dy faza shkuarje e ardhjeje.

Dhe u drejtohem të nënshtruarve ndaj kësaj FSHF-je: trajnerëve, presidentëve të klubeve, kryetarëve të bashkive të qyteteve kryesore që mbarështrojnë jo pak Kampionatin Kombëtar të Shqipërisë, futbolldashësve, krejt qytetarëve të këtyre qyteteve tradicionale të futbollit e të kampionatit, me këto fjalë të një gazetari:

Ngrijini sytë pak më lart dhe vështroni edhe një herë 16-shen tonë. Është pothuajse 90 për qind kampionati realist e atdhetar i qyteteve tradicionale të Shqipërisë – të gjitha këto po me germa kapitale – të cilët të gjithë janë gati t’i thërrasin: “Mirë se vjen se ke 10 vjet që na ke ikur!”

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"