PROBLEMATIKA E DITËS/ Mos e denatyroni kampionatin e Shqipërisë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 14, 2023 | 18:05

PROBLEMATIKA E DITËS/ Mos e denatyroni kampionatin e Shqipërisë!

Nga BESNIK DIZDARI
1.
Duhet falënderuar Federata Shqiptare e Futbollit që më në fund, mbas rreth tri vitesh, po mundohet t’i përgjigjet kërkesës së rreth 30 klubeve të Shqipërisë për të ndryshuar mënyrën e organizimit të kampionatit të Shqipërisë. Kjo ma do mendja, përmes shtimit të skuadrave. Më mirë vonë se kurrë. Nuk duhet ta harrojmë thënien e famshme latine: “Errare humanum est, perseverare autem diabolicum”. (“Me gabue është njerëzore, me këmbëngulë në gabim është djallëzore”).

fshf presidentet

Mirëpo, me sa duket, mbas një mbledhjeje dëshirat për ndryshim pasojnë me disa variante që na duken krejt të papranueshëm. Kësisoj, sidomos për ata, të cilët i njohin mirë organizimet e kampionateve në Europë. Natyrisht edhe për ata të cilët njohin po kaq mirë edhe organizimet më serioze të vendit të tyre që është Shqipëria.

Tash, duke u ndalur te mbledhja në fjalë, thuajse rrufeshëm je i bindur se do të kundërshtosh. Kjo teksa kujton se kanë qenë rreth 30 klube të cilët prej rreth tri vjetësh kanë kërkuar ndryshimet, ndërsa ju, pa u merakosur aspak, thërrisni vetëm 10. E, më duket se as 10 nuk kanë qenë në këtë mbledhje. E pra, ajo federatë, ajo mbledhje, ai komision, i cili merr përsipër të riorganizojë kampionatin e Shqipërisë pa qenë aty Vlora, Elbasani, Kavaja, Berati, Gjirokastra – qendra historike dhe themeluese të kampionatit shqiptar – asnjë vendim kësisoj nuk mund të shndërrohet në i ligjshëm. (Ndërkohë që nuk mund të harrojmë edhe mospraninë e Lushnjës apo Fierit, më e pakta kjo.) Nëse merret asisoj ky vendim, atëherë do të na duhet të përimtojmë shkallën e atdhetarisë së atyre që mendojnë e vendosin ashtu. Nëse fatet e organizimit të kampionatit të Shqipërisë u dashka t’i vendosë përparësia e “votave” të Rrogozhinës, Laçit. Kukësit apo Shijakut – edhe pse këta në mënyrën më absurde përbëjnë 40 për qind të 10-shes së dështuar të Kampionatit të Republikës së Shqipërisë – pa i nënvlerësuar aspak arritjet e tyre të respektueshme, atëherë ajo që po titullojmë si “Denatyrimi i kampionatit të Shqipërisë”, bëhet edhe më tronditëse.

Jam i vetmi, po, po, i vetmi, që për këtë problem kam bërë mbi dhjetëra shkrime, duke pasur vetëm dy përkrahës: gazetat “Panorama Sport” dhe “Panorama”, si dhe lexues të shumtë, miq e kolegë të mi, kompetentë të futbollit, edhe pse nuk flasin publikisht kundër të nënshtruarve, të cilët ndodhen pranë zyrave të drejtimit të futbollit kombëtar në heshtje të plotë, e jo pak edhe në televizione.

Është shumë e çuditshme vërtet, se si ta thotë mendja se duhet të kenë përparësi shembujt e vegjël të nja 10 shteteve të Europës, dhe jo shembujt e nja 40 shteteve të Europës. Është po aq e papranueshme se si kërkon pra, të marrësh shembujt e Finlandës e të Islandës, të Uellsit e të Irlandës së Veriut dhe jo të Gjermanisë, Anglisë, Italisë, Spanjës, Francës, Holandës, Rusisë, Turqisë, Çekosllovakisë, Serbisë, Greqisë, Ukrainës, Bullgarisë, Rumanisë e të tjera, me të cilët për organizimin e kampionatit të saj, Shqipëria është e lidhur me ta qysh më 1930. Çka do të thotë se edhe ajo e ka organizuar gati përherë kampionatin e saj me dy faza me shkuarje e ardhje, organizim që i ka dhënë një hov zhvillimit të futbollit në Shqipëri.

A ndieni ndopak pendim që për 10 vjet keni organizuar një kampionat thuajse të dështuar me vetëm 10 skuadra, herë pas here duke flakur tej madje, deri klubet më tradicionale të Shqipërisë. Duke arritur të përjashtosh nga kampionati deri dhe Sport Klub Tiranën, Vllazninë e Shkodrës, Partizanin, Dinamon, Skënderbeun, KF Elbasanin, Besën e Kavajës, Luftëtarin e Gjirokastrës, Tomorin e Beratit. Kryesisht i ke zbritur në Kategorinë e Dytë, niveli i së cilës në historinë e futbollit të Shqipërisë përbën një nga nivelet më të ulëta që mund të mendohet. Kjo kryesisht për shkak të numrit të vogël (10) të skuadrave. Kujtoj për, kushedi, të satën herë, se si andej kah fillimi i viteve ‘70, SK Tirana e sotme, asokohe 17 Nëntori, edhe pse u rendit e 13-ta me një kampionat me 14 skuadra, nuk ra në Kategorinë e Dytë. Ndërsa sot edhe po u rendite i 8-ti mund të biesh. Se për i 9-ti në Shqipëri, qofsh dhe Partizani, Dinamo, Vllaznia e SK Tirana, patjetër që do të biesh. Siç dhe ata ranë.

E tash kërkon të shpikësh “play off”-e artificiale, deri dhe në një tur final të kampionatit që do t’u zhvilluaka në Tiranë, pra që do të favorizuaka në mënyrën më arrogante të mundshme, tri klubet e kryeqytetit. Ku është parë kjo padrejtësi, ky “fair play” origjinal i markës shqiptare deri në absurditet? Dhe pse? Për të luajtur në “Air Albania” ngaqë ky mbledhka shumë spektatorë. Dhe kur i mbledhka? I mbledhka vetëm kur luhet Partizani – SK Tirana. Harroni, se kur këto skuadra kanë luajtur me skuadra të tjera edhe ky “Air Albania” ka qenë gati bosh. Madje qysh të nesërmen e ndeshjes Partizani – SK Tirana. Është vërtet interesante se si mund të mendoni se e kemi kaq të shkurtër kujtesën!

2.
Përse harroni, pra? Ju harroni, ose bëni sikur harroni, ngaqë me sa duket, nuk keni arkiv, nuk mbani ditar apo shënime kujtese të detyrueshme për këto punë. Sepse në zyrat tuaja nuk hyjnë të paharrueshëm si një Ymer Striniqi apo një Gogo Çomora të djeshëm. Ndërkohë që shembullin e punës së pashlyeshme të Anton Mazrrekut të madh edhe për këto punë, ju nuk e njihni. Sepse opinioni publik i sotëm i futbollit kurrë nuk mësoi diçka më tepër për relacione e informacione të pasura e të paanshme, çka në zyrat tuaja duhet të vijnë gjithnjë e më të thella, sidomos prej delegatëve e vëzhguesve të ndeshjeve.

Dhe sepse prej vitesh të tëra ju nuk shpallni numrin e spektatorëve në ndeshje, ndonëse e keni detyrim prej UEFA-s e FIFAs. Kur jam emëruar kryeredaktor i “Sportit Popullor” më 1982-shin, më janë dashur vetëm dy javë për të siguruar, në bashkëpunim me FSHF-në, numrin e saktë të spektatorëve për çdo ndeshje. Madje më shumë se të saktë. Dhe patëm mbërritur deri aty saqë Shqipëria të zinte vendin e parë në Europë për numrin mesatar të spektatorëve për ndeshje në raport me popullsinë: 6100 për ndeshje! U botua me tituj të dukshëm gazetash në shtypin më autoritar të Europës. Asokohe kishim një kampionat jo me 10 skuadra, por me 14. Jo me “play off”-e të zhvilluara në Tiranë, por me dy faza dhe aq. Ashtu si gjithë Europa moderne.

Ndërsa sot mesatarja e ndeshjeve të kampionatit të Shqipërisë nuk i arrin as deri 800 a 900 për ndeshje. Dhe janë me dhjetëra e dhjetëra ndeshje a më shumë, që patën vetëm deri 100 a 150 shikues! Dhe ju, duke na kujtuar naivë, na servirni “mrekullinë” e stadiumit “Air Albania”, ku spektatorë të shumtë ka vetëm kur luan Kombëtarja dhe kur luan Partizani – SK Tirana.

Po përsëris edhe këtu, thoshte dikur Loro Boriçi: “Na duhen më shumë skuadra në kampionat. Mbasi je lodhur e munduar fort me rivalin, e mezi i ke shënuar një gol, duhet të vijë java tjetër e të kesh përballë një skuadër më të lehtë, për ta mundur me shumë gola. Sepse ku do të mësojnë tjetërkund lojtarët me ba gola?”… Kështu e mbyllte Boriçi retorikën e tij, tash të vjetruar. Mjeshtri i madh këtë e thoshte qysh herët, asokohe pra, kur kishim një kampionat jo me pak skuadra, por me plot 14. Ndërsa 16 skuadra kemi pasur në kampionatet e viteve 1955, 1993, 1995. Madje dy herë, më 1997 dhe 1998 kemi pasur 18 skuadra. Pati ndërhyrë ministri i paharrueshëm i Kulturës, Teodor Laço, i cili sportin e futbollin i njihte edhe më mirë se jo pak analistë të sotëm. E bëri këtë edhe për të shpëtuar rënien e Skënderbeut e të Besës. Dhe me 18 skuadra, e dy faza kemi përjetuar dy kampionate të paharrueshme.

Më 2020, kur kampionati mbushte plot 90 vjet jetë, pata shkruar e propozuar përsëri për një kampionat me 16 skuadra: dy periudha me shkuarje e ardhje, duke shpëtuar edhe prej kësaj periudhe të katërt deri në mërzi, që siç është parë qartë, cenoi jo pak, vetë ndershmërinë e kampionatit. Dhe me një Kategori të Dytë, edhe ajo në një grup po me 16 skuadra, ku tri të parat e secilit grup hyjnë drejtpërdrejt në kampionatin kombëtar, ku prej të 16-ave bien tri të fundit. E mandej? Mandej Kategoria e Tretë rajonale… 16 skuadra, pra, qoftë edhe 14, kjo mbase me tri faza. Shtimi në 16, nuk e cenon aspak seriozitetin e kampionatit. E përforcon, madje.

Ndërkaq, më duket se dëgjova që i është kërkuar mendim UEFA-s. Këtë e kam të vështirë ta besoj. Mos ndoshta u themelua sot shteti shqiptar? Deri këtu kemi mbërritur? Mos jemi Gjibraltari apo Lihtenshtajni? E pra, për organizimin e kampionateve të saj, Shqipëria kurrë nuk i ka kërkuar ndihmë UEFA-s. E dini që kjo Shqipëri e vogël është ndër shtetet e para europiane që ka organizuar kampionatin e saj: viti 1930! Është 24 vjet para se të themelohej UEFA. Dhe përmbi gati 80 vjet ajo i ka organizuar kampionatet e saj sipas shembullit të Europës Perëndimore. Kaq mjafton. UEFA është për punë të tjera…

Më 20 prill 2018, gazeta “Panorama Sport” me sondazhin e saj i pati vënë vulën shtimit të skuadrave. E, edhe atë ditë këtë e bëri me elegancën e artit të gazetarisë, përmes një faqosjeje të shkëlqyeshme të krejt faqes së saj të parë. Sondazhi pati treguar se servilizmi i sotëm i disa të nënshtruarve ndaj lidershipit të FSHF-së, sidomos ai i disa të ashtuquajturve “analistë televizivë”, ka dëmtuar jo pak. Një lloj nënshtrimi apo shërbimi me mëkatin që vjen edhe prej disa gazetarëve, të cilët humbasin kësisoj paanësinë e profesionit. Është një lloj nënshtrimi i pashoq që padyshim besoj se nuk i pëlqen assesi as vetë drejtimit të FSHF-së.

Faqe e parë e gazetës “Panorama Sport” më 20 prill 2018

Faqe e parë e gazetës “Panorama Sport” më 20 prill 2018

Kujtojmë ndërkohë se sondazhi dhe mendimi i 30 klubeve për shtimin e skuadrave, i thoshte drejtimit të FSHF-së se kampionati nuk është yti, por është yni dhe se të drejtat tuaja mbi të, janë më të pakta se të askujt tjetër. Patëm mbërritur mandej te sondazhi i 16 janarit 2020. Ndërsa sot po mbërrijmë deri aty, saqë fatin e organizimit të kampionatit 93- vjeçar të Shqipërisë do ta vendosin edhe votat e Kukësit, Rrogozhinës, Laçit e Shijakut – forca krejt të reja dhe me fare pak traditë në historinë e futbollit shqiptar…

3.
Ja tek është këtu e riplotësuar historia e ndryshimeve organizuese të të gjitha kampionateve të Shqipërisë, për fat një pjesë e mirë e të cilëve naive, të pasigurta, të pafryt. Ndonëse shumica janë organizuar për së mbari. Ky përimtim kaq i plotë bëhet duke vënë për çdo vit dhe skuadrën kampione. Kronologjia e të gjitha ndryshimeve është kjo:
1930 – SK TIRANA: 6 skuadra.
1931 – SK TIRANA: 7 skuadra, dy grupe.
1932 – SK TIRANA: 5 skuadra.
1933 – SKËNDERBEU: 5 skuadra.
1934 – SK TIRANA: 7 skuadra.
1936 – SK TIRANA: 8 skuadra.
1937 – SK TIRANA: 10 skuadra.
1939 – SK TIRANA: 8 skuadra, dy grupe.
1940 – VLLAZNIA: 8 skuadra, dy grupe.
1942 – SK TIRANA: 10 skuadra, tri grupe.
1945 – VLLAZNIA: 12 skuadra, dy grupe.
1946 – VLLAZNIA: 12 skuadra, dy grupe.
1947 – PARTIZANI: 9 skuadra.
1948 – PARTIZANI: 14 skuadra, dy grupe.
1949 – PARTIZANI: 9 skuadra.
1950 – DINAMO: 12 skuadra, dy grupe.
1951 – DINAMO: 14 skuadra.
1952 – DINAMO: 20 skuadra, tri grupe.
1953 – DINAMO: 10 skuadra.
1954 – PARTIZANI: 12 skuadra.
1955 – DINAMO: 16 skuadra.
1956 – DINAMO: 9 skuadra.
1957 – PARTIZANI: 8 skuadra.
1958 – PARTIZANI: 8 skuadra.
1959 – PARTIZANI: 8 skuadra
1960 – DINAMO: 10 skuadra.
1961 – PARTIZANI: 10 skuadra.
1962-63 – PARTIZANI: 12 skuadra.
1963-64 – PARTIZANI: 12 skuadra.
1964-65 – SK TIRANA: 12 skuadra.
1965-66 – SK TIRANA: 12 skuadra.
1966-67 – DINAMO: 12 skuadra.
1968 – SK TIRANA: 14 skuadra.
1969-70 – SK TIRANA: 14 skuadra.
1970-71 – PARTIZANI: 14 skuadra.
1971-72 – VLLAZNIA: 14 skuadra.
1972-73 – DINAMO: 14 skuadra.
1973-74 – VLLAZNIA: 14 skuadra.
1974-75 – DINAMO: 14 skuadra.
1975-76 – DINAMO: 12 skuadra.
1976-77 – DINAMO: 12 skuadra, tri faza (e treta në dy grupe).
1977-78 – VLLAZNIA: 12 skuadra, dy faza.
1978-79 – PARTIZANI: 14 skuadra.
1979-80 – DINAMO: 14 skuadra.
1980-81 – PARTIZANI: 14 skuadra.
1981-82 – SK TIRANA: 14 skuadra.
1982-83 – VLLAZNIA: 14 skuadra.
1983-84 – KS ELBASANI: 14 skuadra.
1984-85 – SK TIRANA: 14 skuadra.
1985-86 – DINAMO: 14 skuadra.
1986-87 – PARTIZANI: 14 skuadra.
1987-88 – SK TIRANA: 14 skuadra, tri faza (e treta në dy grupe).
1988-89 – SK TIRANA: 12 skuadra, tri faza (e treta në dy grupe).
1989-90 – DINAMO: 12 skuadra, tri faza.
1990-91 – FLAMURTARI: 14 skuadra, tri faza.
1991-92 – VLLAZNIA: 16 skuadra.
1992-93 – PARTIZANI: 16 skuadra.
1993-94 – TEUTA: 14 skuadra.
1994-95 – SK TIRANA: 16 skuadra.
1995-96 – SK TIRANA: 18 skuadra.
1996-97 – SK TIRANA: 18 skuadra.
1997-98 – VLLAZNIA: 18 skuadra.
1998-99 – SK TIRANA: 16 skuadra.
1999-00 – SK TIRANA: 14 skuadra.
2000-01 – VLLAZNIA: 14 skuadra.
2001-02 – DINAMO: 14 skuadra.
2002-03 – SK TIRANA: 14 skuadra.
2003-04 – SK TIRANA: 10 skuadra, katër faza.
2004-05 – SK TIRANA: 10 skuadra, katër faza.
2005-06 – KS ELBASANI: 10 skuadra, katër faza.
2006-07 – SK TIRANA: 12 skuadra, tri faza.
2007-08 – DINAMO: 12 skuadra, tri faza.
2008-09 – SK TIRANA: 12 skuadra, tri faza.
2009-10 – DINAMO: 12 skuadra, tri faza.
2010-11 – SKËNDERBEU: 12 skuadra tri faza.
2011-12 – SKËNDERBEU: 14 skuadra.
2012-13 – SKËNDERBEU: 14 skuadra.
2013-14 – SKËNDERBEU: 12 skuadra, tri faza.
2014-15 – SKËNDERBEU: 10 skuadra, katër faza.
2015-16 – SKËNDERBEU: 10 skuadra, katër faza.
2016-17 – KF KUKËSI: 10 skuadra, katër faza.
2017-18 – SKËNDERBEU: 10 skuadra, katër faza.
2018-19 – PARTIZANI: 10 skuadra, katër faza.
2019-20 – SK TIRANA: 10 skuadra, katër faza.
2020-21 – TEUTA: 10 skuadra, katër faza.
2021-22 – SK TIRANA: 10 skuadra, katër faza.
2022-23 – PARTIZANI: 10 skuadra, katër faza.

E shihni që kampionatet më sunduese, plot 52, janë të zhvilluara me dy faza, pra sipas stilit perëndimor, kur çdo skuadër takohet dy herë me tjetrën, një herë në fushën e vet, një herë në fushën e kundërshtarit. Plot 37 herë janë kampionate me +14 skuadra e më tepër. Dhe pikërisht këto janë edhe kampionatet më të bukura dhe më cilësore të Shqipërisë. Qëndroni këtu e mos shpikni forma të dështuara e të njëanshme. Mos na besoni vetëm ne. Pyesni, sondazhoni, mendoni, analizoni dhe mandej vendosni. Mos u ngutni!

Ia vlen t’u kujtosh që nëse guxoni të mos ndryshoni për së mbari, do të vazhdojmë të kemi jashtë kampionatit kombëtar e pakta gjysmën e qyteteve tradicionale të futbollit kombëtar. E keni ulur tejet “piazza”-n e kampionatit të Shqipërisë. Dhe nuk e keni ulur thjesht ngaqë kanë shpërthyer forca të reja, klube të reja moderne, me financa të fuqishme, të një stili evropian, të tipit teuton apo latin, si të një Monza, Hofenhaimi apo Lajpcigu. Pa dashur për të ulur assesi meritën e padiskutueshme të të riardhurve, në futbollin shqiptar ka ndodhur më e rënda: është shtypur maja. Nuk ka kohë për të pritur. Ritheksojmë:

– Do të mbërrijmë te kampionati tradicional i Shqipërisë me dy periudha (faza), shkuarje e ardhje, të baraspeshuara për të gjitha skuadrat.

– Do të sigurojmë një kampionat me 30 javë, tejet i përshtatshëm për gjatësinë e stinës.

– Do të mënjanojmë dramat e rënieve dhe të mosrënieve “të forta” që rrezikojnë tejet etikën e futbollit, por dhe marrëdhëniet midis qyteteve.

-Do të çdramatizojmë ndjenjat e pakëndshme që shpesh krijon futbolli i një rivaliteti artificial dhe do ta shndërrojmë atë në më të lirshëm, më festiv dhe më çlodhës për shqiptarët. Të cilët ende nuk kanë rreth vetes, shumë bukurina të jetës së tyre. Zbukurojani sadopak jetën modeste të tyre, edhe me ndeshjet e së dielës të kampionatit të tyre të futbollit. Pse jo, mendojeni ndryshimin në fjalë edhe si një mirësi humane.

Shpëtojeni kampionatin e Shqipërisë. Mos e komplikoni. Qëndroni te organizimet e përsosura të më të mëdhenjve të Europës! E pse jo, qëndroni te mënyra e organizimit të nja rreth 50 kampionateve më serioze të Shqipërisë!

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"