Priten “spastrime” tek Elbasani, vetëm një formacion do të rinovojë/ Nga Gava te Peqini, ja kush qëndron

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 2, 2023 | 21:09

Priten “spastrime” tek Elbasani, vetëm një formacion do të rinovojë/ Nga Gava te Peqini, ja kush qëndron

Elbasani nuk dëshiron që të jetë kalimtar në Kategorinë e Parë. Pasi u ngjit, ambiciet nuk mungojnë. Pretendimet janë për të kapur Superioren dhe që kjo të ndodhë, sigurisht që nuk do të kursehen në merkato.

AF Elbasani

Me përforcimet që priten, spastrimet janë të pashmangshme. Pritet që këtë sezon të ketë spastrime të shumta nga sezoni i fundit dhe të ribëhet sërish skuadra nga e para. Pak e nga pak po shuhen dilemat e atyre që do të qëndrojnë dhe pjesës që do të shpallë “divorcin”.

RINOVIMET – “Panorama Sport” mëson se shumë pak lojtarë do të mbijetojnë, gati-gati një formacion. Ata që do të qëndrojnë në ekip më së shumti, pasi pjesa tjetër do të largohet. Kështu, projekti nis nga kapiteni Orgest Gava, që sërish do të jetë pika kyçe e verdhebluve edhe këtë sezon. Për të vijuar me dy portierët, Klevi Totoshi dhe Redon Gega, të dy në moshë të re dhe që klubi ka ndërmend t’i mbajë në skuadër.

elbasani

Përshtypje të mirë gjatë këtij sezoni ka lënë edhe Arsen dhe Klevis Kasa, ashtu si edhe mbrojtësi Klajdi Broshka. Endri Duka, Renato Hyshmeri, Arsen Lleshi dhe Jurgen Peqini gjithashtu shihen si futbollistë që mund të qëndrojnë edhe këtë sezon në Elbasan. Pjesa tjetër e ekipit, kryesisht jabanxhinjtë, thuajse e kanë mbyllur me ekipin, vetëm nëse ndonjë prej tyre do të preferohet nga trajneri i ardhshëm për të vijuar bashkëpunimin.

AFRIMET – Mirëpo, largimet e shumta duhen zëvendësuar dhe në këtë aspekt drejtuesit elbasanas kanë nisur punën me t’u siguruar ngjitja në Kategorinë e Parë. Për momentin gazeta ka mësuar se futbollistët e parë me të cilët është rënë dakord janë, Kledis Hida i Tomorit dhe Rei Zaimi i Turbinës, dy mbrojtës që kanë qenë titullarë të padiskutueshëm në skuadrat e tyre.

JA KUSH MUND TE RINOVOJE

Fokusi kryesor janë futbollistë nga elita, por ende në klub janë të rezervuar për emrat që kanë kontaktuar. Sakaq, nisja e zyrtarizimeve do të fillojë vetëm pas konfirmimit të trajnerit të ri për këtë sezon. Ky 10-ditësh shihet si vendimtar për Elbasanin sa i përket edhe stolit. Verdheblutë presin të zyrtarizojnë trajnerin e ri dhe më pas të nisin merkaton për të përballuar sezonin. Emri më i lakuar vijon të jetë ai i Nevil Dedes, edhe pse për momentin nuk ka ardhur ende zyrtarizimi.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"