Prishet “pakti i sushit”, ja pse po ikën Ksavi nga Barcelona

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 18, 2024 | 11:30

Prishet “pakti i sushit”, ja pse po ikën Ksavi nga Barcelona

Barcelona nuk gjen qetësi. Ksavi nuk do të jetë trajner i Barcelonës në sezonin e ardhshëm edhe pse vetëm një muaj më parë pas darkës me presidentin Laporta dukej se ishte konfirmuar vazhdimësia e tij. Kanë mjaftuar pak fjalë të trajnerit për të ndryshuar gjithçka dhe për të sanksionuar largimin e tij nga timoni i Barcelonës. Furtuna në fakt ishte rrjedhojë e disa fjalëve të trajnerit që nuk i kanë pëlqyer aspak presidentit.

KSAVI LAPORTA

Vetëm pak orë para takimit në La Liga kundër Almeria. Pragndeshja ishte shoqëruar me lajme se Laporta ishte shumë i zhgënjyer me deklaratat e trajnerit. Dhe të premten, furtuna kishte shtuar fuqinë e saj, teksa “Radio RAC 1” nënvizoi se numri një i klubit e kishte marrë vendimin përfundimtar për largimin e trajnerit në ditët në vijim. Sipas gazetës “Sport”, motivi i zhgënjimit të Laportës me Ksavin është se presidenti ndihet i tradhtuar nga trajneri dhe qëndrimin ambiguous (me dy kuptime) të Ksavit në adresë të klubit dhe të skuadrës.

Në takimin e fundit mes palëve në shtëpinë e Laportës në të cilën u vendos që Ksavi të vijojë te Barça edhe në sezonin 2024-2025, Ksavi raportohet të ketë folur me optimizëm për sezoninb e ardhshëm. Në fakt, Laporta ia kishte hequr vizën Ksavit, por vullkani i optimizmit nga deklaratat e Ksavit dhe nga fakti se trajneri nuk i kishte vënë asnjë kusht klubit, bënë që Laporta të bindej dhe t’i besonte timonit teknikut aktual. Ky pakt, kjo marrëveshje në shtëpinë e Laportës që është pagëzuar dhe si “pakti i sushit” është parë nga presidenti si një lidhje pa kushte me trajnerin. Por situatat rrodhën ndryshe, eliminimi nga Liga e Kampioneve, dështimi për t’u futur në garë për titullin në La Liga nisën të vlonin ujin.

Dhe pika e vlimit ka ardhur të mërkurën kur Ksavi lëshoi disa deklarata që nuk kanë rënë në vesh të shurdhër. Gjatë konferencës për shtyp para Almerias, Ksavi në fjalën e tij vuri në dukje dy pika që nuk janë kapërdirë nga Laporta. Në radhë të parë ai kërkoi që klubi të ulte pritshmëritë për sezonin e ri dhe së dyti vuri në dukje gjendjen kritike të financave të Barcelonës. “Në këto kushte, me këtë skuadër nuk do të mund të konkurrojmë me Realin e Madridit në La Liga”, tha Ksavi, duke iu referuar ndoshta dhe investimeve të Realit, që pritet të sjellë në verë Kilië Mbapenë. Si të mos mjaftonte kjo, Ksavi lëshoi bombën e dytë. “Tifozët e Barcelonës nuk duhet të krijojnë iluzione.

Barça nuk është ajo e 20-25 viteve më parë. Tani situata financiare e klubit është e vështirë”, tha ai. Ishin këto fjalë të qarta të Ksavit që kanë derdhur gotën e dëshpërimit të Laportës që gjatë një takimi me njerëzit e tij më të afërt të vendosë për largimin e trajnerit. Ndërkaq, burime pranë teknikut të Barcelonës, bëjnë me dije se fjalët e Ksavit ndoshta janë keqinterpretuar.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"