Prestige në fushë, Limani: Ruajmë kreun deri në fund

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 18, 2024 | 9:01

Prestige në fushë, Limani: Ruajmë kreun deri në fund

Këtë fundjavë do të rinisë kampionati i Kategorinë së Tretë, që u ndërpre që para festave të fundvitit.

limani

Prestige e ka nisur me fitore këtë vit, teksa ka fituar ndeshjen e prapambetur të javës së dytë në Burrel, kundër Klosit 3-0. Prestige ka stampuar vendin e parë në grup dhe të dielën do të ndeshet me Kinostudion në Kamëz. Protagonisti i kësj skuadre Sandroel Limani, që është dhe golashënuesi më i mirë i skuadrës për “Panorama Sport” tregoi synimet e skuadrës dhe individuale për pjesën në vazhdim të kampionatit.

Me fitoren ndaj Klosit keni stampuar vendin e parë në grup…

Jam shumë i lumtur për këtë arritje. Pretendimi ynë është ngjitja në Kategorinë e Dytë dhe kjo është e padiskutueshme. Ndeshja në Burrel ishte mjaft e vështirë për skuadrën tonë pasi luajtëm me 9 lojtarë. Megjithatë ne bëmë një lojë e bukur dhe unë arrita të shënoj një gol.

Jeni golashënuesi më i mirë, e shikoni veten shpëtimtar për skuadrën?

Goli që i shënova Klosit nuk do të jetë i fundit. Të gjithë luftojmë për golin dhe nuk ka rëndësi se kush e shënon. E rëndësishme është që ekipi të fitoj ndeshjet.

Në shumë prej ndeshjeve ju keni shënuar supergola nga distanca. Kjo vjen nga përvoja apo stërvitja?

Pa frikë mund të them se gjithçka vjen nga puna e përkushtuar gjatë stërvitjeve, por dhe përvoja ndikon. Për pak mbush 30 vjeç dhe futboll kam luajtur që fëmijë dhe kam një karrierë të gjatë si futbollist.

Këtë fundjavë luani kundër ekipit të vendit të fundit Kinostudios, që ende nuk ka shijuar pikën e parë. Çfarë pritet nga ky takim?

Në çdo takim skuadra hyn vetëm për fitore e s’pritet gjë tjetër.

A do të shënojë përsëri Limani?

Rëndësi ka të fitoj Prestige, shpresoj që të shënoj dhe unë.

Meqë jeni të parët, besoni te realizimi i objektivit të Prestige?

Jemi në vendin e parë dhe skuadra është në rrugën e duhur për realizimin e objektivave. Besoj se nuk e lëshojmë këtë vend deri në fund të sezonit. Kjo vjen falë gjithë skuadrës, stafit, presidentit që ka krijuar këtë kualitet me lojtarë cilësorë e shumë të mirë. Nuk ka ndeshje të lehta, madje as me Kinostudion, kështu që duhet maksimumi në çdo sfidë, sikur të jetë finale e vërtetë.

GFF

ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"