Prestige mposhtet në shtëpi, Basania merr kreun e vetme

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 25, 2024 | 9:11

Prestige mposhtet në shtëpi, Basania merr kreun e vetme

Prestige nuk ka arritur që në përballjen e javës së 11-të të Kategorisë së Tretë të rikuperojë pozicionin në tabelën e klasifikimit, në mënyrë që të mos humbiste terren me kreun. Ndonëse luanin ndaj një rivali direkt si Basania, kryeqytetasit nuk ia kanë dalë dhe janë mundur në shifrat 1-0 nga skuadra shkodrane, e cila me këtë sukses në transfertë arriti të marrë kryesimin e Grupit A me 23 pikë.

prestige

Duke ditur se kryesuesit e javës së shkuar, Arnisa, ishin mundur nga Eagles, Prestige kishte mundësinë që të rikthehej në krye të grupit. Të besuarit e trajnerit Dulo kanë zhgënjyer në shtëpi dhe me këtë disfatë kanë zbritur në vendin e pestë, duke qenë 4 pikë larg Basanias kryesuese.

NDESHJA- Prestige e nisi takimin me ide të qarta, pasi duhej rikthimi te fitorja, pasi kishin një mundësi për të rrëmbyer kreun, pasi ishin informuar me rezultatet e favorshme të rivalëve. Kryeqytetasit e nisën me vrull ndeshjen duke insistuar për të gjetur sa më parë golin. Ndërsa miqtë nga Shkodra, duke ditur se në fazën e parë ishin mundur në shtëpi nga Prestige, më shumë menduan për prapavijën.

Prestige që në minutën e pestë jep sinjalin në drejtim të portës së Basanias, por gjuajtja nga distanca e Gaxhajt përfundon jashtë. Të besuarit e trajnerit Dulo janë më kërkues dhe me gjuajtjet nga distanca mundohen të gjejnë rrugën e rrjetës, por mungoi shënjestra e duhur. Duke ditur që miqtë ishin të mbyllur prapa, rruga e vetme për Prestige mbeti me gjuajtjet nga distanca. Kur mendohej se pjesa e parë do të mbyllej në barazim, Basania me gjuajtjen e parë në portën e kryeqytetasve arrin të shënojë. Pas një topi të marrë nga krahët Silva arrin që të lirohet nga mbrojtësit e Prestige dhe me një gjuajtje tokas në pozicion diagonal nga distanca arrin të kalojë shkodranët në avantazh. Në shifrat 0-1 për Basanian mbyllet pjesa e parë.

Në pjesën e dytë Prestige bën gjithçka për të barazuar shifrat, ndërsa miqtë me të gjitha mënyrat u munduan që të frenojnë manovrën e vendasve. Të shumta ishin vonesat, ku shkodranët përdorën “kartën” e ndalesave për dëmtime të mundshme. Gjipi dhe Branica u munduan në disa raste, por pa mundur që të gjenin rrugën e rrjetës. Në përfundim janë miqtë ata që i gëzohen fitores dhe kryesimit të Grupit A. Ndërsa Prestige, si një ekip me pretendime i ka vënë vetes pikëpyetje sa i përket objektivit me këtë humbje. Gjithsesi, matematikisht gjithçka është e munduar, por tashmë Prestige nuk e ka vetë në dorë realizimin e misionit.

Capture

ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"