Prestige kërkon rikthimin te fitorja, Limani: I shënoj Klosit dhe ruajmë kreun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 10, 2024 | 11:47

Prestige kërkon rikthimin te fitorja, Limani: I shënoj Klosit dhe ruajmë kreun

Prestige ka gabuar në dy javët e fundit duke ia vështirësuar më shumë misionin vetes. Përpos dy humbjeve radhazi me Përmetin dhe Eagles, Prestige vijon të kryesoj Grupin A të Kategorisë së Tretë, por në të njëjtën kuotë pikës,16, me Basanian dhe Eagles.

limani

Të dielën, në orën 20:00 në kompleksin “ Internacional” në Pezë, Prestige pret Klosin, ku kryeqytetasit presin që të rikthehen te fitorja. Këtë gjë e pohoi për “Panorama Sport” edhe sulmuesi Sandroel Limani. 28- vjeçari ka qenë protagonist i suksesit të Prestige në fazën e parë ndaj Klosit dhe të njëtën gjë 28-vjeçari shpreson të realizojë edhe nesër ndaj skuadrës së origjinës së tij.

Prestige do të luajë kundër Klosit, si e pret Limani këtë takim?

Ndeshja me Klosin është e veçantë për mua dhe gëzoj gjithë respektin, për këtë ekip. Kjo ndodh sepse nga Klosi është edhe origjina ime. Tani jam pjesë e Prestige dhe jam i fokusuar tek ekipi im dhe besoj se ndaj Klosit do të rikthehemi te fitorja. Ne do ta mbajmë vendin e parë, pavarësisht ‘kërcënimeve’, që na vijnë nga konkurrentët.

Në ndeshjen e parë, të luajtur në Burrel, ju i keni shënuar 4 gola Klosit dhe jo më tej. A janë pak katër gola për “bomberin” Limani?

Keni të drejtë për pritshmëritë e mia, por ndoshta po kaloj një ngërç psikologjik. Pavarësisht nga kjo, premtoj se në këtë takim do të rikthehem te goli. Të gjithë luftojmë për golin dhe nuk ka rëndësi se kush prej nesh e shënon, mjafton të shënohet. Për ne rëndësi ka që ekipi të fitojë ndeshjen. Por siç duket, kundër ekipit të origjinës kam edhe fatin me vete. Shpresoj shumë që të rikthehem tek goli në këtë ndeshje kundër Klosit.

Prestige vjen me dy humbje radhazi në këtë ndeshje, si e shpjegoni?

Në këta dy takime, ndaj Përmetit dhe Eagles, kemi pasur një ngërç. Edhe penalltitë e humbura në këto ndeshje na kanë penalizuar duke sjell edhe këtë ngërç. Penalltitë jepen për t’u shënuar e jo për t’u humbur e kjo ka sjell dhe humbjen e fatit. Ritmi i lojës sonë ka qenë i lartë dhe besoj se do të rikthehemi fitoreve.

A do t’i qëndroj ekipi objektivit, ngjitja si kampionë në Kategorinë e Dytë?

Normale, dhe as nuk do të diskutohet. Objektivi ynë mbetet gjithnjë i njëjtë me atë nisje në këtë kategori. E padiskutueshme mbetet ngjitja në Kategorinë e Dytë, padyshim si të parët në renditje. Aktualisht jemi në vendin e parë dhe skuadra është në rrugën e duhur për realizimin e objektivave. Këtë vend nuk do ta lëshojmë deri në fund të kampionatit. Besueshmëria është brumosur tek ekipi ynë dhe stafi. Kualiteti i lojtarëve nuk mungon, ndaj kërkohet që të gjithë të shfaqim kapacitet tona dhe të mos vëmë në dyshim realizimin e objektivit të klubit.

ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"