Prestige kërkon kthesën kundër Eagles, Ademi: I mundim të gjithë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 2, 2024 | 10:43

Prestige kërkon kthesën kundër Eagles, Ademi: I mundim të gjithë

Prestige do ta nisë fazën e dytë të Kategorisë së Tretë ndaj Eagles, ku në fazën e parë kanë barazuar në shifrat 2-2. Kjo përballje derbi për vendin e parë në Grupin A do të luhet të dielën në kompleksin “Internacional” në Pezë në orën 19:00.

prestige

Stafi dhe ekipi e kanë lënë pas humbjen aksidentale kundër Përmetit. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, mbrojtësi i krahut, Mariglen Ademi, pohoi se pritet autokritika që të dielën.

Luani ndaj Eagles, me të cilën në fazën e parë keni barazuar, dhe vini pas asaj humbjeje me përmbysje nga Përmeti. A ka ndikuar psikologjikisht te ju?
Të dielën kundër Eagles nuk do të ketë rezultat tjetër veç fitores. Humbja me përmbysje nga Përmeti erdhi si rezultat i një gabimi, nga i cili kemi nxjerrë mësime. Nuk ka kundërshtarë të lehtë apo të dobët.

Pse u shthur skuadra në ndeshjen kundër Përmetit?
Skuadra gaboi në mbrojtje, por dhe humbja e penalltisë ndikoi jo pak.

Çfarë pritet të ndodhë të dielën kundër Eagles?
Ashtu siç e përmenda, kundër Eagles rikthehemi te fitorja. Skuadra është e përgatitur fort nga trajneri Madrit Dule. Kundërshtarin e njohim që nga ndeshja e parë dhe do të përmirësojmë ato gabime që u shfaqën ndaj Përmetit. Pritet të jetë një takim mjaft i luftuar nga të dy ekipet, por unë jam i bindur se nuk do të ketë asnjë surprizë. Rezultati është i përcaktuar për ne, vetëm fitore, madje e pastër.

Çfarë i duhet Prestige që këtë fazë mos të humbasë asnjë takim?
Këtë javë ne fillojmë fazën e dytë dhe janë në radhë 7 ndeshje. Padiskutim, vendin e parë ne nuk do ta lëshojmë deri në fund të kampionatit dhe koha do ta tregojë mjaft mirë se kush është Prestige. Gjatë kësaj faze, synimi ynë është që të mundim të gjitha ekipet, si brenda dhe jashtë fushe. Ne na duhet vetëm qetësia, si para ndeshjes edhe pas saj. Të ulim sa më shumë euforinë dhe t’i trajtojmë të gjitha ekipet si rival.

Çfarë mund të sjellë Mario Ademi më shumë për skuadrën?
Jam në momentin tim më të mirë dhe gëzoj formë optimale. Fusha e ka treguar se çfarë mund të jap për ekipin. Cilësitë nuk më mungojnë, ndaj aftësitë maksimale dua që t’i vë të gjitha në shërbim të skuadrës dhe arritjen së objektivit dhe të ngjitemi si kampion në Kategorinë e Dytë.

ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"