Prestige blindon kreun, trajneri Dulo: Çdo gjë në funksion të objektivit, ngjitje në të Dytën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 19, 2024 | 18:45

Prestige blindon kreun, trajneri Dulo: Çdo gjë në funksion të objektivit, ngjitje në të Dytën

Prestige vazhdon dominimin në grupin A të Kategorisë së Tretë, teksa të dielën regjistroi fitoren e 5-të radhazi. Skuadra e drejtuar nga Mandrit Dulo arriti një triumf me shifrat 1-5 në Kamzë ndaj Kinostudios në një ndeshje, që nuk ishte aq e lehtë .

prestige

Pjesa e parë u mbyll pa gola, teksa në të dytën zhbllokoi Gaxhaj, por vendësit barazuan shpejt. Pas barazimit Prestige e rrit ritmin dhe “plasën” në tapet Kinostudion duke shënuar 4 gola dhe fiksuar shifrat 1-5.

NDESHJA – Prestige merr “frerët” e lojës që në minutat e para dhe mundohet të shfrytëzojë kombinimet e Ademit dhe Limanit, por çalon në finalizim, duke dërguar më së shumti gjuajtje qendrore, që ndalen nga portieri Qordja. Kinostudio u përpoq më së shumti të mbrohej dhe të shfrytëzonte daljet e shpejta dhe vertikalizime në qendër, pa rezultatet e duhura. Pjesa e parë mbyllet pa gola, me Prestige që nxjerr nga loja Cekën dhe aktivizon Kodhelajn. Për të dalë tek goli u desh shumë djersë, derisa Gaxhaj do të shënonte golin e parë, në minutën e 59-të.

Një kombinim i bukur brenda zonës, Vasha pason tek Ademi, i cili nxjerr Gaxhajn përballë portierit dhe tund rrjetën nga shumë pranë me një gjuajtje të fortë. Avantazhi nuk zgjat shumë, sepse Kinostudio arrin të gjejë barazimin thuajse nga hiçi. Goditje këndi e ekzekutuar nga Kola, që gjen një devijim minimal nga Vasha dhe përfundon në rrjetë. Prestige “mllefoset” pas golit dhe arrin të shfryjë shumë shpejt, fillimisht me Klinton Kodhelajn. Limani këmbëngul nga e majta dhe lëshon një kros “të telekomanduar” për mesfushorin, i cili tund rrjetën me një goditje mjaft të bukur me kokë. Më pas skuadra e Dules nuk përmbahet.

Ademi merr “skenën”, duke shënuar dy gola të shpejtë në minutat 75 dhe 78. Fillimisht shfrytëzon një vertikalizim të Gjipit dhe tund rrjetën, teksa më pas sulmuesi kthen në rrjetë një top të kthyer nga Qordja pas gjuajtjes së Kodhelajt. Në fund, mbrojtësi Elio Rapo, i cili 5 minuta para fundit të takimit, që do të vuloste shifrat 5-1 për Prestige. Ky triumf e bën Prestige të blindojë kreun, pasi shfrytëzon edhe ndalesat e Arnisës dhe Basanias, dy kundërshtarë direkt.

dulo trajneri

Trajneri i Prestige

Dulo: Takimin duhet ta zgjidhnim shpejt, punojmë për objektivin

Trajneri i Prestige, Mandrit Dulo, pas fitores së thellë me Kisnotudion, për “Panorama Sport” u shpreh: “Ishte ndeshje që duhej të zgjidhej shpejt, pasi rastet u krijuan që me fillimin e takimit. Por me kalimin e minutave skuadra po shpenzonte shumë raste duke u vënë nën presionin e rezultatit. Lojtarët e rinj që u aktivizuan që ne fillim te ndeshjes nuk u ndërthurën me pjesën tjetër të grupit, ndaj kjo gjë solli që golat aq shumë të kërkuar, të vinin në pjesën e dytë. Meritë për këtë kanë dhe përgatitësit atletik, pasi skuadra reagoi në pjesën e dytë. Pra, gjendja fizike e ekipit është në nivelin e kërkuar. Përgëzoj çunat për kontributin e dhënë dhe stafin e palodhur. Tani fokusi është te kundërshtari i radhës, ku çdo gjë shkon në funksion të arritjes së objektivit madhor”.

 

Mariglen Ademi

“Me dy golat e shënuar jam i lumtur, por më shumë më gëzon fitorja e ekipit. Duke përfituar edhe nga kundërshtarët tanë që janë ndalur ne kemi nisur shkëputjen, që më gëzon së tepërmi. Në pjesën e parë patëm një farë ngërçi, pasi kundërshtari u mbrojt mirë. Por me udhëzimet e trajnerit ia dolëm në të dytën. Jemi plotësisht në rrugën e duhur. Megjithatë nuk ka kohë për eufori. T’i marrim ndeshjet një e nga një”, u shpreh Mariglen Ademi.

Klinton Kodhelaj

Klinton Kodhelaj pas fitores u shpreh: ”Vij nga dëmtimi dhe nuk është se jam aktivizuar shumë. Ndihem i kënaqur nga goli që shënova. Fitorja erdhi me pak mundim, pasi kishte një farë nënvlerësimi si skuadra e fundit e grupit dhe nuk kishte ende asnjë pikë. Prestige i takon të jetë në vendin e parë, pasi presidenti po bën një punë të shkëlqyer dhe gjej rastin ta falënderoj se po investon shumë, duke bërë ekipin me kushte që mund të barazohet me ekipet elitare.”

 

Kinostudio–Prestige 1-5

Golat: Kola 62’ / Gaxhaj 59’, Kodhelaj 71’, Ademi 75’, 78’, Rapo 85’

Kinostudio: Qordja, Kuqi, Dedaj, Daxha, Gjoka (Rema 68’), Gjonpalaj, Kalemi (Shehaj 81’), Loka (Muja 68’), Bajraktari, Kola (Bulku 81’), Pilati; Trajner: Klodijan Gjonapalaj;

Prestige: Hasanaj, Rapo, Hysko, Vasha (Ygor 80’), Gaxhaj, Frimpong, Ceka (Kodhelja 46’), Mata (Ruçi 76’), Gjipi (Shini 80’), Ademi, Limani (Grori 76’); Trajner: Mandrit Dulo;

Kartonë të verdhë: Kalemi 28’, Daxha 31’, A. Gjonpalaj 53’, Qordja 57’ / Rapo 26’

Gjyqtarë: F.Hysa, K.Shehu, E. Ahmeti, E.Zhuli (Tiranë)

Delegat: R.Dushku (Tiranë)

KATEGORIA III

 

GRUPI A

 Java 6

Arnisa-Bulqiza 2-3

Kinostudio-Prestige 1-5

 Përmeti-Eagle 1-5

Klosi-Basania 1-0

 

 

Renditja

Skuadra         N    P    F    B    H    G+/G-

1.Prestige      6    16   4    1    0    17-5

2.Arnisa        6    12   4    0    2    13-11

3.Eagles        6    10   3    1    2    17-12

4.Basania       6    10   3    1    2    12-8

5.Bulqiza       6    8    2    2    2    13-11

6.Klosi         6    7    2    1    3    7-13

7.Përmeti       6    6    2    0    4    13-16

8.Kinostudio    6    0    0    0    6    6-22

 

ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"