Presin Luftëtarin, Çela nuk ka dyshime: Rotacion dhe kualifikim, Flamurtari shkon larg në Kupë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2023 | 10:00

Presin Luftëtarin, Çela nuk ka dyshime: Rotacion dhe kualifikim, Flamurtari shkon larg në Kupë

Flamurtari rigjen Luftëtarin. Në prillin e 2012-ës përballeshin në Kategorinë e Dytë, ndërsa sot ritakohen për llogari të Kupës së Shqipërisë. E presin në shtëpi dhe llogaritë janë të qarta: fitore dhe kualifikim. Edhe pse kuqezinjtë synimet më të mëdha i kanë në kampionat, nuk e anashkalojnë as këtë kompeticion.

CELA FLAMURTARI

Këtë e konfirmon edhe Emiljano Çela, gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”. Trajneri pretendon kalimin e këtij turi, ndonëse po planifikon rotacion në formacion.

“Me Luftëtarin është një ndeshje zyrtare në Kupën e Shqipërisë. Si e tillë është shumë e rëndësishme për ne. Patjetër që në këtë turit paraeliminator do të pretendojmë kualifikimin. Jemi një skuadër me vlera, potenciale, por edhe një klub me traditë. Në këtë përballje do të provojmë një mënyrë të re loje, por edhe do t’u japim minuta lojtarëve që janë aktivizuar më pak në këtë periudhë. Pra, në këtë ndeshje do të bëjmë rotacion për t’u dhënë mundësi lojtarëve që aspirojnë dhe që pretendojnë, apo edhe futbollistëve që ne mund t’i bëjmë pjesë dhe t’i përfshijmë në 11-she”, shprehet fillimisht Çela.

OBJEKTIVI

Memalioti i stolit të vlonjatëve tregon edhe “ëndrrën” që ka për këtë kompeticion. Ai kërkon që të shkohet sa më larg. “Ëndrra dhe shpresa e të gjithëve ne është që në Kupën e Shqipërisë të shkojmë sa më larg. Mendoj se është një vitrinë e mirë për të gjithë përballja me ekipe më të forta në turet pasardhëse. Kështu që ne do të shkojmë sa më larg në këtë kompeticion. Normalisht që kemi pretendimet dhe objektivat tona që dihen”, thekson 38-vjeçari.

MUNGESAT

Antonio Ilieski dhe Erjon Vucaj mungojnë për shkak të dëmtimeve. Trajneri evidenton se të gjithë lojtarët janë të rëndësishëm, por kjo është mundësi edhe për aktivizimin pjesës tjetër. “Të gjithë janë lojtarë të nevojshëm dhe efektivë për ekipin. Mungesat janë normale, por nëse e shikojmë me pozitivitet, dua të them se mungesa e gjithsecilit është një mundësi për dikë tjetër”, përfundon Çela.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"