Presin Burrelin në Kupë, trajneri Resuli: Luftojmë në dy fronte, bashkë ngjitemi edhe në elitë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 6, 2023 | 11:20

Presin Burrelin në Kupë, trajneri Resuli: Luftojmë në dy fronte, bashkë ngjitemi edhe në elitë

Flamurtari synon të shkojë sa më larg në Kupën e Shqipërisë. Dritan Resuli pret vetëm kualifikimin sot. Për “Panorama Sport”, trajneri thotë se kuqezinjtë kanë si objektiv të luftojnë në të dyja frontet. I cilëson të gjitha ndeshjet të vështira, por beson te kualitetet që ka brenda skuadrës.

resuli ferko

“Flamurtari është Flamurtari dhe në të gjitha ndeshjet futet për të fituar. Kjo do të thotë që edhe në ndeshjen që luajmë me Burrelin synojmë që të marrë maksimumin dhe të kualifikohemi për në turin tjetër të Kupës së Shqipërisë. Ne do të luftojmë në të dyja kompeticionet, si Kupë ashtu edhe në kampionat për të dhënë më të mirën tonë dhe për të arritur objektivat që kemi. Ndeshjet të gjitha janë të vështira, patjetër që edhe kjo me Burrelin është njëra prej tyre. Por në bazë të kualiteteve që ka brenda skuadra, unë besoj se do të bëjmë më të mirën edhe në këtë ndeshje, për të realizuar objektivin që kemi”, shprehet fillimisht Resuli, pak para ndeshjes së turit të tretë.

SITUATA

Ka vetëm pak ditë në krye të Flamurtarit, por e ka të qartë se çfarë kërkon. Shprehet se në skuadër ka shumë gjëra që duhet të rregullohen, por përgjithësisht ky grup i jep siguri:

“Aktualisht është mesi i kampionatit. Kemi edhe dy javë aktivitet dhe mbyllim fazën e parë. Këtë vit është sistemi me tri faza. Në mesin e kampionatit është e vështirë të bësh këto lloj konstatimesh sa i përket grupit, pasi ka dëmtime, kartonë, gjendje virale, ka shumë faktorë të tjerë që ndryshojnë. Por unë jam i kënaqur nga gjendja e ekipit dhe nga serioziteti i këtij grupi. Unë e kam thënë edhe herë të tjera, që gjithë kohën kam qenë, jam dhe do të jem pjesë e Flamurtarit, pasi te kjo skuadër ne jemi rritur. Është privilegj i madh të drejtosh këtë skuadër.

Gjithashtu është motivimi kryesor që të bën për të ecur sa më përpara, që ky ekip të rikthehet në Superiore. Rezultati dhe pikët më kënaqin. Kemi shumë vend për t’u përmirësuar. Janë shumë raporte që duhen ekuilibruar dhe rregulluar. Në përgjithësi jam i kënaqur nga grupi, serioziteti dhe mbështetja si dhe investimi i klubit. Të gjithë këta faktorë janë shumë të rëndësishëm dhe të bëjnë që të besosh për të shkuar te suksesi që ne të gjithë duam për ta ngjitur Flamurtarin në Superiore”.

TIFOZËT

Tekniku ka një mesazh për tifozët. Kërkon që të rikthehen në stadium për t’i mbështetur sot përballë Burrelit, por edhe gjatë gjithë kampionatit.

“Jo vetëm për ndeshjen e Kupës së Shqipërisë, por edhe për vazhdimësinë e kampionatit, dua t’u them tifozëve që ata ne na mungojnë. Ju them që të kthehen në stadium, pasi janë motivimi kryesor për ekipin”, përfundon Resuli.

STËRVITJA

Flamurtari u ka dhënë fund përgatitjeve dhe është gati për të luajtur turin e tretë të Kupës së Shqipërisë. Presin Burrelin, kundërshtar që në kampionat i shkaktoi një humbje të dhimbshme, ndaj masat janë marrë që të evitohet “blofi”. Luhet ndeshje teke dhe llogaritë bëhen vetëm me kualifikim. Gjasat janë që formacioni të mos pësojë ndryshe të mëdha. Pritet që të zbresë në fushë e njëjta 11-she si ndaj Kastriotit.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"