Presidenti do kthesën, te klubi i Kategorisë së Parë jepet ultimatumi: Nuk jemi qendër bamirësie

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 7, 2023 | 10:45

Presidenti do kthesën, te klubi i Kategorisë së Parë jepet ultimatumi: Nuk jemi qendër bamirësie

Besëlidhja nuk po i largohet dot fundit. Mbijetesa është ndërlikuar dhe tani vetëm matematika i mban me shpresa. Sikur të mos mjaftonte fakti që humbën, pësuan edhe 4 gola dhe kjo nuk është përtypur në Lezhë. Gjatë analizës së zhvilluar, trajneri Artan Bano u tregua kritik ndaj të tijve.

FOTO: P. GJIKOLA

FOTO: P. GJIKOLA

“Rezultati që morëm ndaj Dinamos ishte më zhgënjyesi që mund të imagjinohet. Skuadra u shpërfytyrua, nuk u kryen detyrat ashtu siç ishin përcaktuar gjatë javës stërvitore, çka u dha mundësi futbollistëve kundërshtarë që t’i lexonin me lehtësi gabimet tona. Kjo bëri të pësonim 4 gola. Më vjen keq kur shoh një ekip si Besëlidhja që ka kualitet, por që shpërbëhet pa arsye, pa mundur të rikuperojë disavantazhin e fillimit të ndeshjes. Ne erdhëm nga një transfertë e pafituar, por të paktën nuk pësuam. Nuk mund të ecet më me këtë ritëm ulje-ngritje. Duhet të ndryshojmë, pasi koha ecën dhe ne na lë prapa. Formacionin e përcaktoni ju dhe jo unë. Kush e meriton luan, të tjerët le ta ndjekin nga shkallët si spektator. Tani laku është shtrënguar shumë, thuajse po shkon drejt fatalitetit, ndaj kërkoj nga të gjithë që të riorganizojmë forcat dhe mundësitë maksimalisht për të fituar ndeshjen në Orikum. Kjo na jep shansin e fundit për të kalkuluar mbijetesën. Nuk ka më asnjë justifikim për asgjë. Duhet që t’i mbledhim të gjitha forcat dhe të japim më të mirën e mundshme. Kjo do të na rikthente dinjitetin”, tha tekniku i lezhjanëve.

Foli edhe presidenti Xhulio Noka, që paralajmëroi se tani e tutje do të ketë gjoba.

“Kam mbetur shumë i zhgënjyer me ju. Nuk ju ka munguar gjë, madje ju kemi grumbulluar një natë para ndeshjes që të ishit sa më bashkuar dhe të qetë psikologjikisht. Tani keni shansin e fundit ndaj Orikut. Çdo disfatë që nga sot, nuk do të kalojë pa penalitete. Besëlidhja nuk është qendër bamirësie, e cila paguan ca njerëz, por është një klub profesionist dhe me objektiva. Dua nga ju që të ndryshoni nga të gjitha pikëpamjet. Besëlidhja duhet të mbetet patjetër në Kategorinë e Parë”, me këto fjalë iu drejtua Noka lojtarëve.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"