President të arrestuar dhe OJF, ja kush është Dinamo e Zagrebit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 8, 2015 | 17:16

President të arrestuar dhe OJF, ja kush është Dinamo e Zagrebit

cekiciSkënderbeu do të përballet në Ligën e Kampioneve me “diktatorët” e futbollit kroat. Dinamo e Zagrebit nuk njeh asnjë rival në dhjetë vitet e fundit, duke fituar sistematikisht titullin kampion. Një klub që ka arritur të rrisë ndjeshëm nivelin e tij, falë administrimit të suksesshëm me shitblerjen e futbollistëve. Që kur në krye të ekipit erdhi Zdravko Mamiç si president, investimi te talentet e rinj ka sjellë shumë përfitime. Njëkohësisht ka arritur që skuadra të realizojë paraqitje dinjitoze në Europë, duke qenë thuajse gjithnjë në fazën e grupeve. Por, dy vitet e fundit, nuk ka qenë aq të arta sa dikur dhe kjo mund të jetë një element deri diku lehtësues për ekipin korçar, në rrugën për të realizuar ëndrrën e tij.

Historia Dinamo e Zagrebit është krijuar më 9 qershor 1945 dhe, gjatë gjithë historisë së vetë, nuk ka zbritur asnjëherë nga kategoria. Ata kanë marrë pjesë në kampionatin e Jugosllavisë deri në vitin 1991. Janë ekipi më i suksesshëm në historinë e Kroacisë me 17 tituj kampion, 13 Kupa dhe katër Superkupa.

OJF Ajo që e bën shumë të veçantë Dinamon e Zagrebit lidhet me faktin se është një Organizatë Jo Fitimprurëse. Pra, ajo ka administrues, por jo pronarë dhe të gjitha paratë që sigurohen, administrohen në sajë të projekteve dhe ecurisë së skuadrës. Gjithsesi, edhe ky format ligjor i klubit ka pasur dyshimet e veta. Vitet e fundit, presidenti Mamiç, i cili zgjidhet nëpërmjet zgjedhjeve të anëtarëve me të drejtë vote, është akuzuar se është pronari i vërtetë i klubit. Ndërkohë, për t’u theksuar është fakti se duke qenë një OJF, ajo nuk paguan taksa. Pikërisht ky element ka bërë që Mamiç të akuzohet për evazion fiskal për taksat që nuk i janë paguar shtetit. Të mendosh që Dinamo e Zagrebit është një industri që prodhon miliona euro të ardhura, pikërisht prej shitjeve të futbollistëve.

Arrestimet Më datë 5 korrik, presidenti dhe trajneri i Dinamos së Zagrebit u arrestuan me akuzën për korrupsion dhe evazion fiskal. Presidenti Zdravko Mamiç dhe vëllai i tij, Zoran, që mbulon rolin e trajnerit, u ndaluan në kufirin e Kroacisë dhe u shoqëruan në polici. Pas disa ditësh ndalimi, të dy u liruan pasi paguan garanci financiare. Saktësisht, presidenti pagoi 950 mijë euro garanci, ndërsa trajneri 520 mijë euro. Aktualisht ata janë ende në proces gjyqësor, që lidhet edhe me evazionin fiskal prej 1.1 milionë eurosh, dëm financiar i shkaktuar shtetit nga shitja e Luka Modriçit te Totenhemi. Në fakt, Zdravko Mamiç është një personazh që nuk e ka për herë të parë që akuzohet, apo edhe ndalohet nga policia. Në një rast ai ka sulmuar një gazetar, ndërsa është shoqëruar në polici pasi sulmoi verbalisht ministrin e Sportit gjatë një emisioni radiofonik.

Kriza financiare Në dy vitet e fundit, ekipi ka arritur të bëjë diferencën në kampionatin vendës, por nuk ka pasur të ardhura shumë të mëdha, si në vitet e arta. Për këtë arsye, edhe shpenzimet e klubit u ulën. Buxheti, nga 20- 25 milionë euro në vit, u ul në 11 milionë euro. Ndërsa paga maksimale, nga 600-650 mijë euro që ishte, u ul në 400 mijë euro. Është për t’u theksuar që të gjitha bilancet e klubit bëhen publike, për të dhënë mesazh mbi një administrim të pastër.

Kriza me tifozët Dinamo e Zagrebit ka një nga grupimet më të mëdha dhe problematike të tifozëve. Ata quhen “Djemtë e Këqinj Blu” dhe e kanë marrë emrin nga filmi hollivudian “Djemtë e Këqinj” i vitit 1983. Gjithsesi, grupimi e ka bojkotuar ekipin në dy vitet e fundit, për shkak të mosmarrëveshjeve dhe akuzave që kanë pasur ndaj presidentit Zdravko Mamiç. Ata vendosën të rikthehen në stadium vetëm pak javë më parë, pas arrestimit që iu bë kreut të klubit të tyre, së bashku me trajnerin.

Filozofia Klubi kroat ka si objektiv që të afrojë sa më shumë futbollistë të rinj dhe të talentuar, të cilët, më pas, transferohen në klube shumë të mëdha, për shifra mjaft të majme financiare. Përgjatë gjithë historisë së vet, prej ekipit kanë dalë dhe janë transferuar lojtarë që kanë lënë gjurmë me ekipe prestigjioze të Europës. Vetëm në vitet e fundit mund të përmenden shitje si Luka Modriç te Totenhemi, Eduardo tek Arsenali, Kovaçiç tek Interi, Korluka te Mançester Siti, Lovren te Lioni apo Manxukiç te Volfsburgu.

Trajneri Në krye të stolit është Zoran Mamiç, vëllai i presidentit. Ai mori drejtimin e përkohshëm në vitin 2013, por pas rezultateve pozitive, u emërua zyrtarisht. Si trajner numëron dy tituj kampion dhe një Kupë të Kroacisë. Zoran ka pasur një karrierë të suksesshme si futbollist, duke luajtur për shumë vite në futbollin gjerman me skuadra si Bohum, Leverkusen, Grother Fyrth, Ahlen dhe Trier. Ndërkohë, ka qenë edhe për 9 vite pjesë e Dinamos së Zagrebit, ku dhe u tërhoq si futbollist.

Akuzat për trukim Në vitin 2011, Dinamo e Zagrebit u akuzua për ndeshjen me Lionin, e cila përfundoi me rezultatin 7-1 për francezët, e vlefshme për fazën e grupeve. Gjithsesi, nuk u gjetën prova

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"