Prençi karikon Skënderbeun: Gabuam me Teutën, por do të fitojmë në Kukës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 16, 2024 | 23:48

Prençi karikon Skënderbeun: Gabuam me Teutën, por do të fitojmë në Kukës

Humbja me Teutën ka qenë një goditje e fortë për Skënderbeun, ekip i cili më shumë se i përfshirë në luftën për mbijetesë e shihte veten të fokusuar në kapjen e vendit të katërt në klasifikim. Përtej kësaj, Elvis Prençi është i bindur se skuadra do të dijë të ngrihet psikologjikisht dhe të lerë pas këtë humbje, që mbetet një ditë e keqe për Skënderbeun.

prenci

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, Prençi analizon gabimet në ndeshjen me Teutën, teksa tregon se asgjë nuk ka mbaruar sa i përket objektivave sezonalë të këtij kampionati. Prandaj kërkon për ndeshjen e radhës përqendrim maksimal te kundërshtari.

Prençi, humbja me Teutën, sa e vështirë është për t’u kapërdirë?

Humbja me Teutën për të qenë i sinqertë ka qenë një humbje që na ka djegur shumë dhe vijon të na djegë. Nuk e çonim në mend një rezultat të tillë dhe kishim përgatitur një tjetër ndeshje nga ajo që bëmë. Teuta në goditi atje ku ajo ka pikën e saj më të fortë. Loja në ajër.

Edhe ne jemi të fortë atje, por duket se nuk i bëmë mirë detyrat tona. Është një ndeshje e humbur që rëndon, por duhet ta lemë pas krahëve dhe të mendojmë për ndeshjen e radhës, e cila vjen shumë shpejt dhe duhet të jemi të përgatitur për atë takim.

Çfarë ndodhi me ekipin në këtë takim? Ku gaboi Skënderbeu?

Për mendimin tim kemi gabuar, pasi ia lajmë menaxhimin e lojës kundërshtarit, gjë që nuk duhet ta kishim bërë. Duhet të impononim lojën tonë, por iu nënshtruam lojës së Teutës. U munduam që t’i përshtateshim lojës së kundërshtarit, duke luajtur me topin e gjatë dhe nuk dolëm dot nga atje. Duhet të kishim guxuar më shumë me lojën e shtruar dhe qarkullim topi. Teuta ishte më agresive në fushën e lojës dhe na u imponua. Është diçka që duhet të kishim ditur ta menaxhonim më mirë ne lojtarët që ishim në fushë.

A e mbyll kapitullin “Final 4” kjo humbje dhe a e ndieni rrezikun për zonën e nxehtë të mbijetesës?

Lufta sportive dhe gara për pozicionet do të vijojë deri në fund të sezonit për të gjitha ekipet që janë në kampionat. Nuk mendoj se është mbyllur gjithçka për asnjë prej objektivave. Jam i mendimit që ai ekip që do të mund të përballojë më shumë dhe më mirë presionin, do të mund të arrijë atje ku meriton. Ne nga ana jonë duhet të vijojmë të jemi të përqendruar dhe të menaxhojmë më mirë anën psikologjike.

Sa e vështirë do të jetë ndeshja e radhës në transfertë kundër Kukësit?

Normalist që është një ndeshje e vështirë. Luajmë kundër një ekipi që është ende në garë për të qëndruar në Superiore dhe kjo e vështirëson akoma edhe më shumë. Është një ekip që nga ana matematike nuk është dorëzuar ende prandaj mendoj se do të bëjnë gjithçka. Por nga ana tjetër, ne duhet të shkojmë të qetë psikologjikisht atje dhe të bëjmë lojën tonë në raport me atë që duam të arrijmë dhe atë që dimë të bëjmë më mirë.

Largimi i Frenklin, sa e ka zbehur forcën sulmuese të Skënderbeut?

Për sa i përket Frenklin gjej rastin t’i uroj sa më shumë suksese dhe mendoj se çdo lojtari formacioni po të largohej, do t’i ndihej mungesa patjetër. Aq më tepër që Frenklin, i cili na ka ndihmuar shumë me golat e tij dhe ishte golashënuesi më i mirë i ekipit. Skuadra ka lojtarë që janë gati për të shfaqur veten e tyre dhe mendoj se do ta menaxhojmë mungesën e Frenklin dhe për këto ndeshje që kanë mbetur.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"