Premio për “kokën” e Luzit, trajneri i Burrelit: Nuk gabojmë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 15, 2022 | 12:12

Premio për “kokën” e Luzit, trajneri i Burrelit: Nuk gabojmë!

Burreli udhëton në Shijak sot, atje ku i pret Luzi 2008. Kërkohet fitorja dhe për të motivuar grupin, është futur në “lojë” presidenca.

Nikaj dhe Renato Hoti

Kryebashkiaku Agron Malaj, që njëherësh ka edhe statusin e presidentit të klubit, po mundohet që të motivojë ekipin para kësaj transferte delikate dhe ka premtuar një shpërblim vërtetë të majmë.

Këtë e konfirmon për “Panorama Sport” edhe vetë tekniku matjan, Renato Hoti.

Ai shpreh besim te ringritja e ekipit duke filluar nga kjo ndeshje dhe dashur pa dashur premioja i jep një motivim ekstra.

“Ndonëse vijmë nga një ndeshje jo e mirë, jam optimist para Luzit. Mendoj se do t’ia dalim pozitivisht. Kjo për faktin sepse ekipi im ka treguar që di të ringrihet edhe në momente të vështira.

Edhe pse me Skënderbeun shkoi keq, lojtarët gjatë javës kanë treguar shenja optimizmi dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie për të bërë kthesën e shumëpritur.

Kësaj atmosfere i shërben edhe motivimi që vjen nga kryetari i Bashkisë Mat, z.Agron Malaj, i cili ka vënë në dispozicion të ekipit një premio goxha të majme për fitoren e kësaj ndeshjeje. Pra, e ritheksoj se ekipi është përgatitur për tri pikë ndaj ekipit të Luzit.

Uroj që në këtë ndeshje të jetë edhe fati me ne, sepse eksperienca ka treguar se në futboll duhet edhe pak fat”, përfundon pranimin e tij numri një i pankinës së Burrelit.

Skuadra dje ka mbyllur përgatitjet dhe është më shumë se gati për të luajtur këtë transfertë. Pretendimet e matjanëve janë serioze këtë sezon, ndaj nuk duan që të komplikojnë pozitat që në këtë fazë të kampionatit.

MARTIN DEDAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"