Premio para transfertës për Burrelin, Bubeqi: I’a dalim ndaj Tomorit në Berat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 18, 2023 | 10:51

Premio para transfertës për Burrelin, Bubeqi: I’a dalim ndaj Tomorit në Berat

Burrelin e pret një transfertë e vështirë, teksa sot në orën 13:00 luan në Berat ndaj Tomorit.

Bubeqi

Fitorja minimale 1-0 me Luzin në Burrel javën që shkoi është shpërblyer me një premio prej 250.000 lekësh të rinj, të akorduara nga presidenca e klubit me në krye z. Agron Malaj, njëherësh kryetar i bashkisë Mat, si dhe 30.000 lekë nga Durim Ballabani, që është një tifoz i zjarrtë i ekipit. Kjo ka rritur optimizmin dhe shtuar oreksin e matjanëve për një rezultat pozitiv edhe në këtë transfertë. Trajneri Dorjan Bubeqi u ka dhënë dorën e fundit përgatitjeve për këtë ndeshje dhe ekipi ka rrugëtuar për në Berat, për t’u akomoduar në një nga hotelet e qytetit.

Kjo do t’i ndihmojë futbollistët për të qenë më të freskët për ndeshjen, ku pritet të rikthehet kapiteni Stana. Por, grupi do të ketë edhe mungesa si ajo e mesfushorit Koleci për shkak kartonësh dhe sulmuesi Toma, i dëmtuar. Pavarësisht këtyre mungesave, nga ana e stafit janë marrë të gjitha masat për zëvendësimin e tyre. Teksa vlerëson Tomorin, ndonëse nuk do ta drejtojë ekipin nga pankina për shkak ndëshkimi nga Komisioni i Disiplinës, Bubeqi është optimist para kësaj sfide.

“Luajmë në një fushë të vështirë, përballë një ekipi të fortë. Jemi përgatitur për këtë sfidë dhe shpresojmë të dalim me rezultat pozitiv. Për ne, çdo ndeshje është e rëndësishme. Synojmë të marrim prej saj një rezultat sa më pozitiv”, ka thënë Bubeqi për “Panorama Sport”.

MARTIN DEDAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"