Prapavija, në top-formë/ Dilema në mesfushë te blutë e DInamos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 18, 2024 | 22:07

Prapavija, në top-formë/ Dilema në mesfushë te blutë e DInamos

Kryeqytetasit janë stërvitur paraditen e djeshme për derbin e së shtunës dhe nuk kanë mundur t’i shpëtojnë shiut të dendur ne fundin e seancës. Trajneri Dritan Mehmeti e ka grupin të plotë dhe ky është një plus para derbit me të kuqtë.

dinamo

Mungesa e vetme do të jetë ajo e Jankut të skualifikuar, ndërsa gjendja shëndetësore e gjithë lojtarëve është e mirë. Këto dy ditë stafi teknik i bluve do të fiksojë edhe formacionin anti-Partizan, por nuk priten surpriza. Mbrojtja është ajo që ka mbajtur peshën e sezonit, me Hoxhën dhe Behiratçen në qendër, si dhe Markun dhe Lorranin në krahë.

Dilema e vetme e trajnerit Mehmeti mund të jetë mesfusha, nëse do të luajë me dy apo tre lojtarë. Gudiabi dhe Qefalija janë të sigurt, pastaj mbetet të shihet nëse do të përfshihet në 11-she edhe Smaçi apo jo. Nëse luan mesfushori nga minuta e parë, atëherë Vila e nis përsëri nga stoli dhe sulmi përbëhet nga Denison, Zabërgja dhe Kaçorri.

Gjatë ndeshjeve të fundit Dinamo ka treguar stabilitet në lojë dhe në rezultate. Nga 12 pikë të mundshme në 4 ndeshjet e fundit mungojnë vetëm 2 pikët e lëna në Kukës. Ndërkohë vlen të përmendet fakti se prapavija, portieri Edmir Sali dhe mbrojtja, kanë treguar një formë mjaft të mirë. Në këto ndeshje blutë kanë pësuar vetëm 1 gol, atë të barazimit 1-1 në Kukës.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"