“Portugezët nuk u treguan korrektë”, talenti shqiptar rrëfen aventurën në shtetin luzitan

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 16, 2022 | 14:30

“Portugezët nuk u treguan korrektë”, talenti shqiptar rrëfen aventurën në shtetin luzitan

Arbri Pengu është talenti pogradecar 18-vjeçar që provoi të luante në ligën e dytë portugeze me Leixoes, por kjo aventurë u ndërpre për shkak të mosrespektimit të kontratës nga klubi. Ai do të luajë për Pogradecin dhe për “Panorama Sport” tregon emocionet e rikthimit, frytet që mori nga futbolli portugez, ofertat, të ardhmen që e pret dhe optimizmin që ka për sa i përket fazës së dytë.

Pengu6

“Nuk mund ta mohoj se ndihem i plotësuar për rikthimin në Pogradec, për faktin se kam qenë pjesë e këtij klubi që i vogël. Kam hedhur hapat e parë dhe këtu ku jam sot, jam falë këtij klubi pa harruar mbështetjen e madhe të stafit, në veçanti të profesor Abazajt.

Kam besim se Pogradeci do të më shërbejë si një trampolinë. Mendoj se qëndrimi këtu do të jetë i shkurtër, pasi duke pasur oferta si nga brenda vendit, më saktë Superiorja, dhe klube europiane, më duhet t’i shqyrtoj. Por mbetet për t’u parë në vazhdim, sepse për momentin jam i përqendruar te kampionati me Pogradecin. Të tjerat le t’ia lëmë kohës. Unë dhe skuadra jemi shumë optimistë për këtë fazë të dytë dhe po punojmë së bashku për të arritur sa më lart. Për renditjen nuk mund të flas dot, por shpresojmë arritje të mira dhe ngjitje në klasifikim”, u shpreh fillimisht Pengu.

Në lidhje se pse dështoi aventura në Portugali, Pengu u shpreh: “Periudha që kalova në Portugali ishte një eksperiencë që më ndihmoi shumë në rritje si futbollist, duke qenë se luaja në Europë. Por arsyeja që nuk zgjati dhe nuk përfundoi siç pritej kjo përvojë, ishte mosrespektimi i kontratës nga klubi në fjalë. Kjo bëri që unë të largohesha. Futbolli portugez është nivel më i lartë se futbolli që ne praktikojmë këtu. Më ndihmoi tepër kjo aventurë, madje është një trampolinë për të shkuar më lart”.

REDI DANDALLAKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"