Portieri Beqaj: Me Elbasanin ishim përgatitur për fitoren, Bylisi i ka idetë e qarta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 28, 2024 | 14:10

Portieri Beqaj: Me Elbasanin ishim përgatitur për fitoren, Bylisi i ka idetë e qarta

Bylisi ka nisur përgatitjet për ndeshjen e parë të fazës së tretë me Tomorin, që do të luhet në Ballsh. Barazimi me Elbasanin në “Adush Muçaj”, natyrisht që kënaq vendasit që patën disa raste shënimi. Ballshiotët janë njohur edhe me kalendarin e fazës së tretë, ndërsa do të luajnë 6 takime në shtëpi dhe 5 në transfertë.

portieri renato beqja i bylisit

Sërish do ta mbyllin me rivalët kryesorë këtë sezon në garën për Superiore, Elbasanin. Ekipin e presin edhe 11 finale për t’u shpallur kampionë. Portieri Renato Beqaj ishte ndër më të mirët ndaj verdhebluve, ku neutralizoi një rast goli. Në një prononcim për “Panorama Sport”, portieri Beqaj u shpreh: “Ishim përgatitur për ta fituar sfidën. Ishim afër golit edhe pse na rrezikuan edhe miqtë, sidomos me atë goditje të dyfishtë ku unë dhe Goxha shpëtuam portën nga goli.

Po të mos harrojmë shtyllën e Lajthisë, një rast të Xheferson, Peraltës si dhe Kamara. Ne bëmë detyrën dhe kishim më shumë dëshirë, sepse edhe ambienti ishte përgatitur për tri pikët. Janë shumë faktorë që tregojnë se ne e kemi marrë rrugën drejt elitës. Pak a shumë i kishim bërë llogaritë dhe e dinim se si do të ishte faza e tretë. Çdo ndeshje në vazhdim është me të vërtetë si finale. E nisim me Tomorin në Ballsh dhe me radhë deri tek e fundit me Elbasanin.

Ndeshje pas ndeshje, unë kam besim se do të jemi ai Bylisi që kemi qenë deri tani, dominues me lojë dhe rezultat. Një thirrje shkon për tifozët tanë, që të na mbështesin sepse janë takime vendimtare për ne dhe komunitetin, pasi futbolli është i vetmi argëtim e kënaqësi në Mallakastër”.

ERJON SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"