Portieri Beqaj i vë “drynin” portës së Bylisit: Nuk pësoj në pesë ndeshjet e mbetura

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 12, 2024 | 15:58

Portieri Beqaj i vë “drynin” portës së Bylisit: Nuk pësoj në pesë ndeshjet e mbetura

Bylisi pret rikuperimin e futbollistëve që kanë munguar në javët e fundit të kampionatit. Lojtarë që kanë mbajtur një peshë kryesore, duke nisur nga mbrojtja me Trumçin djathtas apo Goxhën në qendër, si dhe Felipe Soza në sulm.

beqaj

Mallakastriotët luajnë 5 javë vendimtare në kampionat për titullin kampion, ndërsa do të kërkojnë të vulosin ngjitjen në elitë këtë fundjavë në ndeshjen ndaj Korabit që e luajnë nesër në “Adush Muçaj”. Nëse në shtëpi janë absolutë, ballshiotët duhet të bëjë kujdes në dy transferta të vështira, siç janë ato me Apoloninë dhe Vorën. Në Ballsh ecin me llogari dhe duan që të kalojnë me 3 pikë Korabin, për të qenë më të qetë në vijim, pasi matematikisht e sigurojnë rikthimin në elitë. Në një prononcim për “Panorama Sport”, portieri Renato Beqaj pohoi se Bylisit i duhet akoma shumë punë deri në fund të sezonit, ku përveç rikthimit në Superiore kërkohet edhe fitimi i titullit kampion.

“Dalëngadalë po i vjen fundi një sezoni të gjatë, të nisur mirë dhe ku kemi punuar shumë duke administruar paraqitjen pozitive si klub. Është bërë një punë e mirë në Ballsh këtë sezon, duke nisur që nga drejtuesit dhe stafi teknik me në krye trajnerin Arian Bellai. Bylisi është i karikuar dhe na duhet që edhe në këto javë të mbetura të bëjmë më të mirën tonë. E kishim vendin e parë dhe do të kërkojmë që ta rimarrim atë. Janë edhe 15 pikë në lojë për t’u fituar dhe kalendari ka sfida interesante. Shpresojmë që ta mbyllim në krye dhe kam besim për këtë gjë, por duhet që të fitojmë me Korabin këtë fundjavë pse jo edhe me goleadë.

Kemi një skuadër shumë të mirë dhe në shtëpinë tonë do të thyejmë rekord duke mos njohur disfata, madje ta mbyllim vitin pa humbje deri në fund. Personalisht do të bëj maksimumin, madje dua që të vendos një rekord të ri duke mos pësuar asnjë gol deri në fund të sezonit”, u shpreh Renato Beqaj, portieri i Bylisit. Ndeshjet e mbetura do të tregojnë forcën reale të Bylisit dhe pretendentëve të tjerë të Kategorisë së Parë.

ERJON SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"