Portieri Alimuçaj: Lushnja blindon vendin e shtatë në Burrel, nuk duhet të rrezikojmë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 23, 2024 | 17:43

Portieri Alimuçaj: Lushnja blindon vendin e shtatë në Burrel, nuk duhet të rrezikojmë

Lushnja fitoi pastër, 2-0, ndaj Besës duke krijuar një diferencë prej tri pikësh me zonën e “play out”-it. Skuadra verdhejeshile zhvilloi një ndeshje të mirë duke insistuar te fitorja. Me mbështetjen e madhe të publikut lushnjar skuadra e drejtuar nga Gugash Magani konkretizoi në pjesën e dytë me golat e Muratit dhe Tabakut.

alimucaj portieri i lushnjes

Në një prononcim për “Panorama Sport”, portieri i Lushnjës, Saugli Alimuçaj, deklaroi: “Ndeshja me Besën ishte e vështirë, por kundërshtarin e vlerësuam maksimalisht. U futëm në fushë për të dhënë më të mirën dhe fitorja me një rival direkt është e bukur. Këmbëngulëm dhe kjo ishte gjëja kryesore që na çoi te suksesi. Dolëm me rezultatin maksimal nga ky takim dhe i rikthyem buzëqeshjen dashamirësve të shumtë që ka ekipi. Ia dolëm mbanë me një lojë të bukur, duke u motivuar më shumë për të dhënë më të mirën nga vetja e për të arritur te fitorja”.

Në tri javët e mbetura kalendari i Lushnjës vijon me përballje të drejtpërdrejta, teksa këtë fundjavë udhëtojnë drejt Burrelit. “Burreli është një ekip i fortë, sidomos në shtëpinë e tij. Mos të harrojmë se ishim ne skuadra e parë, që ia shkaktuam humbjen e parë brenda në shtëpi pas disa viteve. Do të udhëtojmë për të dalë me rezultat pozitiv prej aty, për ta siguruar sa më shpejt vendin e shtatë. Jam i kënaqur me grintën dhe me maksimumin e dhënë nga të gjithë çunat, nga i pari tek i fundit, për të mos pësuar dhe për të shënuar gol”, tha portieri 21-vjeçar.

Kur kanë mbetur edhe 270 minuta nga përfundimi i kampionatit, lushnjarët duan të mos rrezikojnë në asnjë moment. “Duke dalë nga objektivi fillestar, që ishte arritja e “play off”-it, do ta quaja për mungesë të fatit, jemi fokusuar që të pozicionohemi sa më lart për të mos rrezikuar në asnjë moment. Lushnja është ekip me traditë në Shqipëri dhe meriton të jetë më lart”, deklaroi portieri i verdhejeshilëve, Saugli Alimuçaj.

ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"