Pogradeci humbi ndaj Turbinës, trajneri shpërthen ndaj arbitrit: Këta njerëz të paaftë po na detyrojnë të…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 21, 2022 | 13:03

Pogradeci humbi ndaj Turbinës, trajneri shpërthen ndaj arbitrit: Këta njerëz të paaftë po na detyrojnë të…

Pogradeci u mund nga Turbina 1-2, në praninë e 1500 tifozëve në “Gjorgji Kyçyku”. Në një ndeshje që luhej e gjitha për mbijetesë, nuk mungoi loja e fortë, rastet, golat, por as protestat. Vendësit e kanë me gjykimin, që sipas tyre, favorizoi miqtë. Trajneri Ardjan Abazaj nuk përmbahet, shpërthen ndaj kryesorit Edvin Hoxha. Kritika ka pasur edhe për të tijtë, por kjo nuk e ka penguar që të akuzojë gjykimin.

ardjan abazaj

“Unë nuk jam nga ata trajnerë që justifikohem dhe e hedh fajin te një palë e tretë, por ky gjykim tendencioz të detyron. Ky arbitër ka shkaktuar probleme dhe nuk është i drejtë. Ky është arbitër i njëanshëm.

Edhe ekipi im nuk luajti ashtu siç duhet dhe patëm ato sikletet tona, faktor në humbje është bërë gjyqtari. Po flas për shembuj konkretë. Nuk është luajtur as 20 minuta futboll në pjesën e dytë. Pas shumë vonesave, për koincidencë jep vetëm 4 minuta shtesë, duke e ditur që u bënë edhe pesë ndërrime.

Kaq pak minuta në një ndeshje që kishte rekord vonesash, ku vetëm ambulanca mbeti pa hyrë në fushë. Kjo nuk është aspak ‘Fair’. Unë nuk e di nëse kësaj i thonë lojë futbolli. Po e përsëris edhe një herë që ne nuk ishim në lartësinë e duhur, por gjykimi u bë kundër Pogradecit dhe është gjynah për një ekip kur luhet futboll dhe nuk të dhunon njeri siç ndodh rëndom në stadiumet e tjera.

Këta njerëz të paaftë po na detyrojnë të bëhemi të ligj me zor. Më vjen keq që po flas kështu, por jam jashtëzakonisht i mbushur. Të gjithë gabojnë në fushën e lojës, por këta gabojnë dhe nisen të të mundin që në tavolinë. Njihen shumë mirë këta lloj arbitrash dhe nuk janë pak në këtë kategori.

Ne hall të luajmë në fushën tonë e hall të luajmë jashtë, se nuk po dimë si të veprojmë. Apo ndoshta thonë se Pogradeci është i urtë edhe nuk të bëjnë gjë atje. Këta po na nëpërkëmbin, po shkelin mbi djersën, mbi mundin e këtyre djemve”, përfundoi trajneri i liqenorëve.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"