Pogradeci fitoi me “dhunë” ndaj Maliqit, trajneri Nikaj: Më duket vetja si në teatër, i zhgënjyer nga tifozët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 10, 2023 | 12:10

Pogradeci fitoi me “dhunë” ndaj Maliqit, trajneri Nikaj: Më duket vetja si në teatër, i zhgënjyer nga tifozët

Pogradeci vuajti, por të paktën fitoi në limite. Samuel Nikaj i gëzohet trepikëshit të marrë dhe mbi të gjitha grintës së skuadrës së tij, që nuk di të dorëzohet kurrë. E megjithatë, diçka po e çudit çdo ditë e më shumë në stadium.

nikaj

Mungesa e entuziazmit, po i krijon përshtypjen sikur të jetë në teatër. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, rrëfen zhgënjimin për këtë sjellje të tifozëve.

Fitoni derbin 1-0, por goli erdhi në fund. Çfarë ndodhi?

Me thënë të drejtën edhe portieri kundërshtar pati ditën e vet. Bëri pritje shumë të mira. Por edhe të pafat mund të them se ishim. Patëm 3-4 raste, ku njëri top preku edhe shtyllën. Sidoqoftë, duhet punuar akoma te pjesa e konkludimit. Kur nuk shënon fillon, vihesh në panik dhe i jep mundësi kundërshtarit që të vonojë lojën. Janë episode që i ka kjo kategori, ku portieri e vonon lojën pambarimisht, kështu që bëhet e vështirë. Ndoshta golat në minutat e fundit janë sinjale që jemi me fat, por trego se as nuk dorëzohemi. Pikët i morëm dhe mjafton që të vazhdojmë kështu. Unë nuk i fola shumë skuadrës, pasi detyra e trajnerit është ta çojë skuadrën te zona e 16-metërshit dhe këtë gjë e kryem mirë. Unë jam krenar për këtë ekip që kam ndërtuar, sepse luftojmë deri në minutat e fundit. Gjetëm rastin dhe shënuam me “dhunë”, ashtu siç kam qejf edhe unë. Por pjesa që më zhgënjen më tepër, është ajo e tifozërisë.

Pse ju zhgënjen?

Nuk e di a jemi në stadium apo në teatër. Në Shkodër kemi teatrin “Migjeni”, këtu s’di a ka teatër, por që të mos çohesh një fije për t’i dhënë zemër skuadrës unë e shoh si problem. Pyes veten ndonjëherë: “A thua se gjysma e Pogradecit është kundër nesh”?! Unë jam shkodran dhe kam drejtuar në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë, atje ku publiku është i zjarrtë, ka tifozllëk, ka tifogrup. Këtu si të jesh në ndeshje stërvitore dhe është pak e vështirë të gjejë motiv skuadra në këtë aspekt. Megjithatë, unë jam i kënaqur dhe u gëzohem tri pikëve.

Ndoshta publiku nuk e ka me ju, pasi dëgjojmë që thërrasin “Samuel, Samuel”… Mos ndoshta janë të lodhur nga endja në Kategorinë e Dytë?

Edhe ky është një aspekt, por unë e kam te pjesa e kulturës që kanë tifozët. Jo se kanë diçka personale me mua, sepse unë ngrohtësinë e tyre e gjej çdo ditë nëpër kafenetë e qytetit. Madje një nga arsyet që unë kam qëndruar, kjo ishte. Ju e dini se çfarë ofertash kam pasur në Kategorinë e Parë, se s’po them në Superiore. I kam refuzuar dhe për të vetmen arsye, se unë e gjej veten mirë në këtë qytet. Ama kultura duhet të ndryshojë, një tifogrup duhet të krijohet, pasi kemi nevojë për ata. Ne në Shkodër themi, që publiku është lojtari i 12-të. Dhe kur ai mungon, është pak problem. Dy-tri herë u acarua publiku me kartonin e kuq dhe disa vonesa loje edhe u dha një fije impuls lojtarëve, edhe ju e patë vetë se si reagoi skuadra, pra kjo është diçka që unë e kërkoj si ndihmë.

U zhgënjyet nga dikush apo patët pritshmëri më të larta?

Në fakt prisja më shumë nga mesfusha. Përveç Danlandit, pjesa tjetër nuk kishin shpejtësinë e lojës. Po përmend Demajn dhe Nallbatin ndoshta. Edhe Qeleshi duhet të ishte pak më konciz në veprimet e veta. Por këto janë gjëra që ndodhin në një skuadër të rindërtuar. Nuk jemi të vjetshmit dhe nuk janë mësuar me njëritjetrin. Pjesa e lojtarëve që kanë mbetur, janë përsëri ata lojtarë që bëjnë diferencën.

Ndryshe nga dy javët e para, këtë herë skuadra krijoi lojë. Çfarë ka ndryshuar?

Edhe unë e kam thënë që ne forcën tonë do ta tregojmë ndoshta pas javës së katërt apo të pestë, ashtu si edhe vjet. Një sezon më parë vjet bëmë edhe një nisje të ngadaltë. Ndoshta në lojë, sepse për sa u përket pikëve, pavarësisht një barazimi që bëmë me Elbasanin në javën e dytë, pjesa tjetër ishin fitore, por jo me nivelin që unë kërkoja. Edhe këtë edicion shpresojmë të përmirësohemi në vazhdim, sepse edhe fazën përgatitore ne e kemi filluar shpejt dhe të shtrirë në kohë dhe mendoj se pas javës së gjashtë apo të shtatë vjen kulmi i formës sportive. Por edhe kur ka ndeshje me lojë të dobët dhe shoqërohet me tri pikë, ky është një tregues që ne jemi në rrugën e duhur drejt objektivit.

REDI DANDALLAKU -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"