Pogradeci do surprizën kundër Vllaznisë, flet Abazaj: Të tregojmë forcën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 3, 2021 | 11:20

Pogradeci do surprizën kundër Vllaznisë, flet Abazaj: Të tregojmë forcën

Për Pogradecin, përballja ndaj Vllaznisë shikohet si një ndeshje luksi, pa presionin e rezultatit. Trajneri Ardian Abazaj ka thënë për “Panorama Sport” se po mendon më shumë për takimin e kampionatit, edhe pse sot do të hedhë në fushë formacionin më të mirë.

Ardian Abazaj

“Është krejt ndryshe kjo ndeshje, sepse nuk ka ngarkesën e tri pikëve të kampionatit, por ka edhe më shumë se kaq kur flitet për një kundërshtar të respektuar si Vllaznia. Në fushë do të jemi me ekipin tonë më të mirë.

Kundërshtari të jep mundësinë të shprehesh dhe ne do ta bëjmë në fushë. Do të provojmë të luajmë me mundësitë tona maksimale”, ka thënë fillimisht Abazaj.

Vështirësitë për trajnerin janë jo pak të vogla, pasi dy futbollistët kryesorë, Shkullaku dhe Liçkollari janë të dëmtuar dhe e humbasin këtë ndeshje. “Do të jetë një formacion miks mes futbollistëve me përvojë dhe atyre të rinj. Gjithkush le të shikojë forcën edhe në këto kushte, por e përsëris se ne do të luajmë futboll për respekt të vetes dhe kundërshtarit.

Kjo ndeshje le të na shërbejë edhe për takimin e radhës në kampionat”, deklaroi numri një i pankinës liqenore.

Ndeshja e sotme, e cila është e para ndaj Vllaznisë në këtë tur të dytë të kupës, ka ngjallur interes në Pogradec dhe në orën 14:00 pritet të ketë një numër të konsiderueshëm tifozësh, edhe për faktin se përballë janë shkodranët.

R.XINXIFI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"