Pogradeci do shmangjen e dramës/ Kthehet Liçkollari, por trajneri Abazaj është sërish në stres

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 14, 2022 | 11:47

Pogradeci do shmangjen e dramës/ Kthehet Liçkollari, por trajneri Abazaj është sërish në stres

Pogradeci është gati për finalen e sezonit. Mbijetesën nuk e siguruan dot në 30 javë kampionat dhe shansin e fundit që të mbeten në Kategorinë e Parë do ta luajnë sot.

Pogradeci

Përballë do të kenë Orikun, në duelin e vlefshëm për “play out”. Kjo sfidë do të zhvillohet në stadiumin e qytetit të Peqinit, duke filluar nga ora 15:00.

Është ky shkaku që dje të besuarit e trajnerit Ardian Abazaj u akomoduan në qytetin e Elbasanit. Ata duan që të jenë të fokusuar maksimalisht te kjo përballje, që vlen sa i gjithë sezoni. Misioni i vetëm i pogradecarëve mbetet triumfi.

Për të vijuar kështu aventurën në këtë ligë, nuk kanë zgjidhje tjetër. Çdo rezultat tjetër do të ishte dramatik. Gjendja e grupit para kësaj përballjeje nuk është më e mira.

Endri Reçi, Arsen Kasa dhe Ergi Brahja janë 3 futbollistët që shqetësojnë stafin teknik. Ata janë në pikëpyetje për duelin ndaj bregdetarëve dhe shkak janë dëmtimet që kanë pasur së fundmi. E megjithatë, ka edhe lajme të mira: rikthehet Jurgersi Liçkollari.

Sulmuesi pritet ta nisë nga minuta e parë dhe ky shihet si një “bonus”. Për këtë duel ka pasur organizim edhe nga ana e tifozëve të Pogradecit, të cilët pritet të jenë të shumtë në numër, në mbështetje të skuadrës, në këtë finale të sezonit.

Klubi ka vënë në dispozicion një autobus falas, por nuk do të mungojnë as tifozët që do të udhëtojnë me makinat personale. Gjithashtu, një vëmendje maksimale në këtë javë ka treguar edhe kryebashkiaku Ilir Xhakolli, që i është gjendur pranë ekipit për ta motivuar.

Në kampin liqenor vendosën heshtje për këtë duel, madje vetë trajneri kur u kontaktua nga gazeta, shkurt tha: “Nuk kam asgjë për të thënë…”.

ILDI MEROLLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"