Pogradeci bllokon Erzenin, shijakasit ende të paplotësuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 7, 2023 | 10:51

Pogradeci bllokon Erzenin, shijakasit ende të paplotësuar

Pogradeci dhe Erzenin luajtën dje në orën 17:30 miqësoren e radhës në stadiumin “Gjorgji Kyçyku”, që përfundoi me rezultatin 0-0. Më të kënaqur nga ky takim dolën liqenorët, pasi si një skuadër e Kategorisë së Dytë dhe me shumë të rinj në përbërje, arritën të barazonin kundër Erzenit të Superiores, skuadër që është në ndërtim nga dita në ditë.

POGRADECI

Minutat e para të lojës flasin për Erzenin, që kontrollon lojën dhe sulmon më shumë, por shijakasit nuk kanë rrezikshmërinë e duhur para porte. Në minutën e 7-të pogradecarët tentojnë me Elmas, por Hasanbelli grushton dhe në atë moment topin e merr në zotërim Alillari, që pengohet nga portieri dhe “sfera” del jashtë. Stafi dhe lojtarët vendës kërkojnë penallti, ndërsa gjyqtari nuk mendon kështu. Superaksion i liqenorëve në të 21-ën, me disa pasime të bukura ku Pura kroson në zonë për Shkulakun, që godet drejt portës, por “sfera” shkon jashtë. Menjëherë pas këtij aksioni, Këndezi asistohet nga mesfusha, hyn në zonë, tenton parabolën dhe në limite rrezikun e largon Krasniqi.

Është radha e Erzenit që të hidhet në sulm, ku fiton një këndore, e cila pas ekzekutimit shkon në kokën e Kacbufit, që godet fort, por është i vëmendshëm Beqiri. E njëjta gjë ndodh edhe pas krosimit të Osmanllarit, teksa Oshafi godet me kokë në duart e portierit. Në pjesën e dytë shijakasit i afrohen disa herë golit, me Osmanllarin dhe Peposhin që bëhen rreziku numër një nga krahët. Në fund është Romero që godet, por portieri Angjeli i thotë “jo” golit.

POGRADECI-ERZENI 0-0

POGRADECI: Beqiri, Ivani, Pura, Blacëri, Lipo, Zhoao, Këndezi, Demaj, Elmas, Shkulaku, Alillari.
(U aktivizuan: Torollari, Likollari, Pilinçi, Bega, Alinj, Veizi, Angjeli, Biondi).
Trajner: Samuel Nikaj

ERZENI: Hasanbelli, Osmanllari, Krasniqi, Selmani, Kacbufi, Peposhi, Açka, Kote, Zeka, Meçja, Oshafi.
(U aktivizuan: Xhika, O.Mehmeti, Duka, Balanta, Kiqina, Romero, Troplini).
Trajner: Alfred Deliallisi 

Gjyqtarë: E.Demiraj, A.Spahiu, E.Sallo (Pogradec)

REDI DANDALLAKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"