“Po shqyrtoj ofertat”, mbrojtësi ikën nga Kukësi dhe i shkel syrin Tiranës: Kontrata më ka mbaruar, por për të ardhmen…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 9, 2023 | 19:29

“Po shqyrtoj ofertat”, mbrojtësi ikën nga Kukësi dhe i shkel syrin Tiranës: Kontrata më ka mbaruar, por për të ardhmen…

Edison Ndreca është një nga lojtarët më të spikatur të kampionatit shqiptar në krahun e majtë, ndonëse skuadra ku ai bën pjesë, Kukësi, nuk u ngrit asnjëherë në nivelin për të pretenduar më shumë sesa mbijetesën.

ndreca

Pas përfundimit të sezonit, emri i Ndrecës lidhet ngushtë me Tiranën, e cila kërkon të përfitojë nga lirimi i kontratës së tij me Kukësin dhe ta bëjë të vetin. Mirëpo, gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”, 28-vjeçari “driblon” sa i përket së ardhmes, duke theksuar se për momentin është me pushime.

“Për momentin jam me pushime, nuk ndodhem në Shqipëri”, pohoi fillimisht autori i dy golave këtë sezon me Kukësin. Por, duke qenë një lojtar i lirë ai po shqyrton të gjitha ofertat, ku lë të hapur edhe largimin jashtë vendit.

“Tani është periudhë merkatoje dhe unë jam lojtar i lirë. Aktualisht jam në shqyrtim të të gjitha ofertave, si nga klube brenda vendit apo edhe jashtë trojeve shqiptare”, theksoi më tej mbrojtësi i verilindorëve, i cili prej dy sezonesh mbrojti ngjyrat e kësaj skuadre në Superiore.

SEZONI ME KUKËSIN – Në lidhje me sezonin e bërë me Kukësin, Ndreca pohon se mbijetesa i lehtësoi jo pak. Ky objektiv u arrit vetëm në javën e fundit të kampionatit, ku fituan në transfertë ndaj Egnatias.

“Mendoj që me arritjen e mbijetesës u lehtësuam shumë, edhe pse kishim lojtarë të mirë në ekip”, deklaroi shkurtimisht 28-vjeçari, i cili me Kukësin zhvilloi plot 34 takime si titullar dhe pa u zëvendësuar asnjëherë, me plot 3029 minuta në këmbët e tij. Futbollisti refuzon të japë një shpjegim për sezonin e dobët që ka bërë Kukësi këtë edicion, duke mos e parë si kompetencë të tij, por thekson se vetë ka dhënë maksimumin në çdo ndeshje.

“Nuk dua të flas sa u përket ulje-ngritjeve. Mendoj se ka persona të tjerë që duhet të flasin dhe i dinë më mirë gjërat sesa unë. Unë thjesht jam përpjekur të jap maksimumin kur kam qenë në fushë, jam munduar të bëj më të mirën time”, përfundoi prononcimin e tij për gazetën mbrojtësi i majtë, i cili mesa duket sezoni që sapo u mbyll, do të jetë i fundit me fanellën e Kukësit.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"